Mbyllen hetimet për tenderat në UBT, SPAK merr 28 të pandehur. Dosja drejt GJKKO-së

Struktura e Posaçme Antikorrupsion përfundoi hetimet dhe mori të pandehur 28 pedagogë, staf akademik dhe biznesmenë, të cilët akuzohen për abuzime me tenderat e Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Ndaj të pandehurve rëndojnë akuzat për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre. Të dhënat nga SPAK saktësojnë se dosja po bëhet gati për t’u dërguar për gjykim.
Hetimet për këtë dosje kanë nisur prej tetorit të vitit 2022, kur në këtë universitet dyshohet se zyrtarë të nivelit të lartë akademik, përfshirë dy zëvendësrektorët Ilir Kapaj e Romina Kotaj, dhe administratori Edmond Tërthorja në bashkëpunim me bizneset manipuluan procesin e prokurimeve publike, duke favorizuar katër kompani.
Këto të fundit ka dyshime se jo vetëm favorizoheshin dhe paracaktoheshin në tendera, por edhe bënin oferta fiktive në emër të bizneseve të tjera për të fryrë vlerën e tenderave.
Nga hetimet e SPAK-ut u zbulua se përgatitja e dokumentacionit për fondet limit dhe specifikimet teknike ishin bërë në koordinim të plotë me fituesit e paracaktuar të tenderave, pa u bërë asnjë analizë reale e tregut.
Dokumentet hetimore tregojnë se pajisjet dhe mallrat e tenderuar ishin siguruar nga operatorët fitues disa muaj përpara shpalljes së procedurave, duke treguar se fituesit ishin vendosur paraprakisht.
Ky manipulim dyshohet se ka përfshirë edhe anëtarët e njësisë së prokurimit dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët kanë ndihmuar në përzgjedhjen e fituesve të paracaktuar.
Në muajin shkurt të këtij viti, Struktura e Posaçme Antikorrupsion i kërkoi Gjykatës së Posaçme firmosjen e masave të sigurisë për 24 punonjës të Universitetit Bujqësor të Tiranës. 5 masa ishin arrest me burg, 10 arrest shtëpie dhe 9 të tjera detyrim paraqitjeje.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/