Berlusconi: Merkel më kërkoi falje

“Merkel ka ardhur tek unë për të kërkuar falje dhe ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë qëllimi të fyejë vendin tonë”, citohet nga mediat gjermane të ketë deklaruar Berlusconi për një televizion italian.
Por, qeveria gjermane ka demantuar pohimet përmes zëdhënësit të saj.
“Nuk ekziston kurrfarë kërkim-falje nga Merkel, pasi që nuk ka baza për këtë”, ka thënë Stefen Zajbert.
Italia brenda eurozonës ka tregun më të madh të obligimeve shtetërore, me borxhin publik prej 1.800 miliard euro dhe 120 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.
Prapaskena e gjithë këtij rasti, sipas palës gjermane, ka të bëjë me ndjenjën e krijuar në Itali, se Merkel dhe presidenti francez Nikola Sarkozi, të dielën e kaluar në një konferencë për media, kanë përqeshur në mënyrë ironike këtë shtet.
Në rrethet qeveritare gjermane, siç transmetojnë mediat, thuhet se kur takohen Merkel dhe Berlusconi, atëherë këtu bëhet fjalë për “bisedimet ndërmjet miqve”.
Këto “bisedime ndërmjet miqve”, vlerësojnë komentuesit gjermanë, për kryeministrin italian kohëve të fundit janë gjithçka tjetër, përveç miqësore dhe siç thonë, Gjermania dhe Franca insistojnë që Italia të shtojë përpjekjet për uljen e borxhit.