Në qytetin e vejushave
Sipas shkrimeve të shenjta hinduse, gruaja nuk ka asnjë vlerë. Është vetëm një shtojcë e babait dhe vëllait, e më pas e burrit, vdekja e të cilit i jep fund përjetësisht jetës sociale, ekonomike dhe emocionale të saj. Vejusha bëhet automatikisht një mishëruese e së keqes, një barrë ekonomike, e shpeshherë edhe pre e abuzimeve seksuale.
E privuar nga të gjitha pronat dhe të drejtat, vejusha jeton në varfëri dhe izolim, duke ia kushtuar pjesën tjetër të jetës kujtimit të bashkëshortit tashmë të vdekur. Asaj nuk i lejohet të rimartohet.
Veç kësaj, zhduken edhe simbolet e martesës: priten flokët, hiqet gjerdani me rruaza të zeza, hiqet pika e kuqe në ballë, rripi i kuq në flokë, thyhen byzylykët me ngjyrë xhami nga kyçet e duarve, hidhen unazat e gishtave të këmbëve dhe vathi në hundë. E ardhmja e vejushës përbëhet nga një “sari” i thjeshtë i bardhë - ngjyrë kjo e zisë.
Shpeshherë largohen edhe nga fëmijët e tyre - sidomos nga djemtë, dhe jetojnë duke kërkuar lëmoshë rrugëve, ose gjejnë strehim në vende të shenjta, si Vrindavani, ku e presin lavdinë e përjetshme me shpresë se në fund do të vijë “Moksh’i” - çlirimi përfundimtar nga cikli i rilindjes, dhe bashkimi me krijuesin.
Para vitit 1829, kur u shfuqizua rituali “sari”, sepse konsiderohej një traditë barbare, vejusha flijohej bashkë me burrin e vdekur në turrën e druve, ku digjeshin të dy kufomat.
Në Indi ka rreth 55 milionë vajza të mitura, të martuara para moshës 15-vjeçare. Shumë nga to kanë burra më të vjetër. Pasi të mbeten të veja, vajzat bëhen viktima të dhunës seksuale, shfrytëzohen për mbledhje të donacioneve, pastrim të parave të pista dhe trafikohen për prostitucion.
Pas martesës, gruaja shkon në shtëpinë e burrit, dhe ndodh që të bëhet pjesë e bizneseve, por edhe burim parash dhe e i të mirave materiale. Ajo mund të blejë frigorifer, televizor, motoçikletë e gjësende të tjera, që janë pjesë e pajës.
Në territorin e Vrindavanit, jetojnë rreth 20,000 vejusha, që kryesisht vijnë nga Bengali Perëndimor. Shumë nga shkojnë to vullnetarisht përditë në Shri Bhagwan Bhajan Ashram, ku pjesën e madhe të ditës e kalojnë duke brohoritur, me qëllim të pastrimit të shpirtit të tyre dhe të burrave të vdekur. Aty, të ulura përtokë dhe me këmbë të kryqëzuara, në gjysmerrësirë, këndojnë “Hare Krishna, Krishna, Krishna, hare Rama, Rama, Rama”.
Vejushat që mblidhen në Shri Bhagwan Bhajan Ashram marrin pjesë rregullisht në psalme, dhe përdorin të njëjtat fjalë për të fituar gjashtë rupi në ditë. Bhajan Ashram është themeluar në vitin 1914 nga tregtari i pasur dhe i devotshëm Shri Janki Dasj Patodia, i cili ia la gjithë pasurinë e tij kauzës fetare. Shërbimet që kryhet në këtë objekt janë këngë e devotshme (bhajan) kushtuar Krishna’s. Nganjëherë shpërndahen veshmbathje, miell, sheqer e thjerrëza.
Aktivitetet në Shri Bhagwan Bhajan Ashram mbijetojnë vetëm falë donacioneve të ndryshme. Pasi përfundimit të seancës së parë, që fillon në orën 7 të mëngjesit dhe përfundon në orën 10, pjesa më e madhe e grave lënë “ashram’in” dhe shkojnë në shtëpi për të gatuar ndonjë gjë. Shumë prej tyre jetojnë në grupe, në vende përplot lagështi dhe plehra. Më të varfrat dhe më fatkëqijat nuk kanë as shtëpi, dhe detyrohen të qëndrojnë në rrugë, ku kërkojnë lëmoshë për të kaluar disi ditën.
Në orën 15:30 të pasdites fillon seanca e fundit, që përfundon në orën 19:30. Por, as një ditë e tërë lutjesh në “Ashram” nuk është mjafton për të jetuar në Indi.
Nga jashtë nuk vërehet e gjithë kjo, madje qyteti i ngjan një ishulli të lumtur ku koha ka ndaluar, dhe ku turizmi fetar sjell pasuri të mjaftueshme për një jetë të mirë të të gjithë banorëve. Vejushat mbeten të panjohura. Asnjëra nuk ankohet, asnjëra nuk akuzon, asnjëra nuk flet. Ato vazhdojnë të jetojnë në Vrindavan.