E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berlusconi provokon skandal të ri

Deklaratat e kryeministrit të Italisë, Silvio Berlusconi, të bëra për mungesën e bukurisë te një rivale të tij politike, kanë nxitur reagimin publik të mijëra femrave në Itali, të cilat deri me tani në pjesën më të madhe kanë heshtur në lidhje me skandalet seksuale të Berlusconit.

Rreth 97 mijë femra kanë nënshkruar apelin Femrat e fyera nga ana e kryeministrit, pas deklaratës së Berlusconit se politikania e majtë, Rosy Bindi, është më e bukur, se sa që është inteligjente, duke sulmuar kështu si pamjen, ashtu edhe trurin e saj.

Që nga kjo deklaratë e kryeministrit italian, në Facebook janë hapur disa faqe, në të cilat ofrohet solidaritet për Bindin, është organizuar një protestë në qytetin Reggio Emilia, ndërsa përgjigjja e Bindit, Nuk jam një femër në dispozicionin tuaj, është shndërruar në slogan të këtyre protestave.

Dikush duhet ti thotë Berlusconit se nuk është George Clooney, tha senatorja e qendrës, Patrizia Bugnano, e cila e cilësoi Berlusconin si shovinist.

Fushata më e re kundër Berlusconit është iniciuar nga gazeta e majtë, La Republica dhe ajo aktualisht mbështetet kryesisht nga spektri i majtë. Por është kjo iniciative e rrallë feministe kundër Berlusconit, e cila ka arritur të joshë vëmendjen e opinionit.

Bindi tha se është kjo një shenjë se një lëvizje e re feministe është duke lëshuar rrënjë në Itali, ku deklaratat e Berlusconit si Femrat janë dhurata më e bukur që Zoti ja ka bërë meshkujve dhe se Italia është atdheu i dashnorëve të mëdhenj, si Casanova, deri me tani janë përcjellë me indiferencë.

Megjithatë, hulumtuesit e opinionit publik theksojnë se pa një rival të besueshëm politik, i cili do ta sfidonte atë, fushata e feministëve nuk do të zbehë përkrahjen për Berlusconin në radhët e femrave konservatore, edhe përkundër faktit se entuziazmi i tyre për të mund të jetë zbehur.

Berlusconi nuk e ka ndryshuar qasjen e tij ndaj femrave dhe nuk është kjo hera e parë që ai bën komente të këtilla, theksoi hulumtuesi i opinionit, Maurizio Pessato.

Ka gjasa që disa femra, të cilat qysh më herët kanë qenë kundër tij, janë nxitur që të ndërmarrin aksion, pas komenteve të tij mjaft të ashpra, por femrat tjera janë mësuar me këso komente të tij, shtoi ai.

Megjithatë, deklaratat e Berlusconit për Bindin kanë nxitur valën e pakënaqësisë dhe të hidhërimit të femrave italiane.

Madje edhe njëra nga ministret e Berlusconit, ministrja për Çështje të Rinisë, Giorgia Meloni, shprehu keqardhje për këto komente të kryeministrit.

Vetë Berlusconi kërkoi falje të zbehtë, duke theksuar se ka bërë shaka.

(AP)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›