Berluskoni dhe epoka e re e politikës italiane
Elton Xhanari
Të premten paradite, parlamenti italian i besoi qeverisjen e vendit Mario Montit, dhe një ekipi ministror të përbërë nga specialistët më të shquar në fushat përkatëse. Dy partitë kryesore, të djathtët e Popullit të Lirisë dhe të majtët e Partisë Demokratike, edhe pse duke patur kujdes të mos duken krah për krah, votuan njëzëri profesor Montin. Mundësia e fundit e Italisë, – u shpreh Xhanfranko Fini, spikeri i Dhomës së Deputetëve, nëse falimenton profesori, me shumë mundësi do të falimentojë kombi.
Pasi Italia përshëndeti me një ndjesi çliruese Silvio Berluskonin (një javë më parë shkruam për këtë), tashmë një epokë e re po hapet për jetën politike të fqinjit tonë. Dy çështje desha të trajtoja në këtë rast: përse institucionet drejtuese italiane patën nevojë për një figurë apartiake në krye të ekzekutivit, dhe nëse e gjitha kjo ishte një lojë e kupolës bankare dhe financiare.
Për tiu përgjigjur pyetjes së parë, mendoj se duhet të kthehemi mbrapa në kohë, saktësisht gjatë verës se vitit të kaluar kur mbreti Silvio, i mësuar i vetëm në fron, dëboi nga partia Xhanfranko Finin, ish-kalorësin e zi të Lëvizjes Sociale Italiane (trashëgimtarët e partisë fashiste), dhe tashmë protagonist i një të djathte moderne legaliste. Çasti i krisjes përfundimtare midis të dyve ishte Asambleja e partisë, kur Fini u ngrit në këmbë duke ndërhyrë gjatë fjalimit të Silvios dhe e pyeti: Çfarë bën, po më përzë!?. Dhe faktikisht kështu ndodhi. Silvio Berluskoni e përzuri nga shtëpia, dhe më pas mbylli derën. Ngjarjet e mëvonshme, qenë një rrjedhojë e natyrshme e atij momenti amë. Një shumicë vrasëse, u copëzua dhe, sidomos në Dhomën e Deputetëve, u mbajt në këmbë me patericat e dy/tre figurave të zgjedhura në radhët e të majtëve por që kryen kapërcimin e ylberit dhe ju bashkuan Berluskonit.
Ndërkohë situata financiare e Italisë, borxhlie gjigante e Europës me 1900 miliardë euro (sa për të krijuar një ide, borxhi i Greqisë ishte 240 miliardë, kurse yni është 5.1 miliardë), po bëhej gjithmonë e më e rëndë. Dukej qartë se një qeveri, e mbështetur nga një shumicë kaq e brishtë dhe heterogjene nuk mund të përballej me një krizë që ishte shumë më e madhe se ajo. Por Silvio, të gjithë e dinë, është kryeneç, dhe iu deshën disa sinjale të forta nga tregjet ndërkombëtare për ta bindur (interesat e bondeve 10-vjeçare kapërcyen pragun e 7%). Kur para një jave, humbi edhe shumicën në parlament mbi kontabilitetin vjetor të shtetit (ligj themelor), atëherë dorëheqja u duk e pashmangshme: në të kundërt, opozita e bashkuar, do i votonte mosbesimin.
Mbi këto fakte secili mund të formojë opinionin e vet, por një gjë duket e sigurt: sikur Partia e Popullit të Lirisë (PDL), mos të kishte humbur gjatë rrugëtimit pjesën finiane, Silvio Berluskoni dhe qeveria e tij, do ishte akoma në detyrë.
Së dyti, emërimi i Mario Montit në krye të një ekzekutivi apartiak dhe i mbështetur nga i gjithë spektri parlamentar, është një komplot i mirë orkestruar nga potencat bankare dhe financiare? Është e qartë që stabiltieti dhe besueshmëria e një shteti, kushtëzohet tej mase nga serioziteti i qeverisjes së tij. Nga ana tjetër, smund të mohohet fakti që Berluskoni ishte në pushtet me një shumicë të brishtë, dhe me një reputacion të damkosur nga skandalet seksuale. Është e lehtë të kuptohet përse tregjet financiare, për të blerë borxhin e Italisë, pretendonin një përqindje më të lartë interesi: më i lartë ishte rreziku i një qeverisje të bllokuar dhe të pafuqishme. Gjithçka duket logjike, të paktën në shikim të parë.
Por, a është Monti një pinjoll i sistemit bankar dhe i fuqive ekonomiko-financiare botërore? Karriera e tij në institucionet e BE-së, si Komisioner i Konkurrencës (1994-2004), flet për një gjobë 500 milionë euro kundër Microsoft-it dhe për bllokimin të shkrirjes të General Electric me Honeywell: dy gjigantet e energjetikës që do transformonin tregun në një monopol. Jo tamam një personazh miqësor i ndërmarrjeve shumëkombëshe, aq sa u etiketua nga shtypi amerikan si Marksi i financës.
Besoj se qeveria e Silvio Berluskonit, drejt greminës vajti me këmbët e veta dhe, kur ishte aty-aty për të rënë, tregjet financiare i dhanë shtytjen e fundit. Por, nëse Monti do të jetë shpëtimtari i kombit, verdikti i përket së ardhmes.