E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibrahimovic: E dija që Barça ishte ekipi më i fortë në botë

ITALI- Milan-Barcelona është përballja më e fortë e ndeshjeve të pesta të Champions League, ndonëse të dyja skuadrat janë tashmë të kualifikuara për në turin tjetër. Por, beteja mes Zllatan Ibrahimoviç dhe Pep Guardiolës, duket se e ka lënë disi në plan të dytë ndeshjen, sidomos nga pikëpamja mediatike. Suedezi nuk i ka kursyer kritikat dhe sharjet për teknikun katalanas, në autobiografinë e tij.

Në ndeshjen e parë në "Kamp Nou", Ibra ishte i dëmtuar, por këtë herë përballja duket e paevitu-eshme. Në një intervistë dhënë për uebsajtin zyrtar të UEFA-s, "uefa.com", sulmuesi i Milanit ka deklaruar se në verën e vitit 2010, kur la Spanjën për t'u rikthyer në Itali, e dinte që po ikte nga skuadra më e fortë e botës. Por, tashmë është i lumtur te Milani dhe nuk ka asnjë dëshirë për hakmarrje.

"Të luash kundër ish-skuadrës tënde nuk është aspak personale. Natyrisht, do të jetë një ndeshje e madhe, por në fund të fundit, është një ndeshje dhe nuk është e nevojshme t'i japim kaq shumë peshë", tha Ibra. Suedezi u shpreh gjithashtu, se pret "një ndeshje emocionuese dhe fantastike". "Luajmë kundër më të fortëve në botë, nuk ka dyshim. Barcelona ishte kështu edhe kur u largova unë dhe e dija një gjë të tillë. Por, them se ndarja ishtë më e mirë për të gjithë, sidomos nëse shihen rezultatet e arritura në sezonin e shkuar nga të dyja skuadrat". Zllatan Ibrahimoviç ndërkohë ka deklaruar se nuk është më i fiksuar pas Champions League, një trofe që i mungon në karrierën e tij brilante. "Disa vjet më parë ishte objektivi im kryesor, por nëse e do shumë diçka, në fund nuk e fiton kurrë, - tha ai. - Dua vetëm të fitoj atë që mundemi. Nëse ia arrijmë mirë, nëse jo, kjo nuk ndikon në karrierën time".
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›