E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhi Qamili, sot? Do të ishte grua, kryetare Parlamenti (intervistë)

Haxhi Qamili i sotëm do të ishte grua, kryetare parlamenti, – thotë mes të tjerash në këtë intervistë për gazetarin Alfred Lela në revistën Mapo publicisti Mustafa Nano. Më poshtë disa nga përgjigjet e tij në këtë bisedim ku preken shumë tema njëherazi.

Dita e Çlirimit: 28 apo 29 nëntori?

Skam ide. Dhe nuk është se më ha meraku shumë për data. Por nisja e sherrit për këtë punë pa u sqaruar e saktësuar më parë prej historianëve ka qenë një punë e poshtër.

Shenjat e cilit pushtues duken më qartë në fizionominë sociale shqiptare?

Në fizionominë sociale, po thoni? Po të turqve, sigurisht. Kanë qëndruar gjatë, shumë gjatë, në këto anë.

Kur themi qytet në kuptimin polis, cili prej vendbanimeve shqiptare e meriton këtë emërtim?

Nëse me polis kuptojmë polis, asnjë qytet.

WikiLeaks, mirë apo keq?

Më shumë mirë se sa keq.

Gegnishtja, apo standardi?

Kështu si e shtroni, e kam përgjigjen të lehtë fare: standardi.

Shqipëri etnike, apo kështu si jemi mjafton?

Me Shqipëri etnike kuptoni një shtet të përbashkët për të gjithë shqiptarët? Jo, faleminderit. Sikur ta kisha unë në dorë këtë gjë, do të bëja çmos ta pengoja hë për hë. Do të ishte një entitet jo efecient. Dhe më e bukura është se ska nevojë ta pengosh. Është thjesht i pamundur. Hë për hë, thashë.

A ka një rrezik neo-otoman për Shqipërinë?

Nëse me Shqipëri kuptoni Republikën e Shqipërisë, jo.

A ka patur një rrezik anglo-amerikan për Shqipërinë?

Keni edhe më mbrapa pyetje të tilla me humor?

Si do ti përshkruanit gjurmët në histori të Ahmet Zogut, Enver Hoxhës, Sali Berishës

Në këtë rast, po të isha piktor, do të gjendesha i sulmuar nga asosacioni i një zhgarravine. Por edhe pa qenë piktor, është e njëjta gjë.

Ballist, legalist, partizan apo asnjanës?

Legalist, por në kuptimin politiko-kulturor të termit.

A ishte Partia Komuniste Shqiptare vepër e jugosllavëve?

Jugosllavët ndikuan bajagi, por ishte në logjikën e lëvizjeve komuniste, që kjo të ndodhte. Në këtë kuptim, më bën më shumë përshtypje ndarja nga jugosllavët në fund, se sa subordinimi ndaj tyre në fillim.

Në rrafsh simbolik, si do ta shpjegonit Hamza Kastriotin?

Ai është një nga personazhet historikë, që më bëhet njësh me ethosin shqiptar. Ka dhe të tjerë, sigurisht, që Shqipëria duket sikur i ka nxjerrë nga rropullitë.

Partizani, Tirana, Dinamo, Vllaznia apo Besa?

Kam qenë tifoz me Partizanin. Prej Panajot Panos, të cilin e kam parë me sytë e mi në dy vitet e fundit. Dhe e mbaj mend si luante.

A është frymëzuese figura e Krishtit?

Sdo mend. Tok me atë të Muhamedit. Janë bërë luftëra pa fund ne emër të këtyre figurave. Dhe vazhdojnë të bëhen.

Nëse do ti përballnit si simbole fetare, historike, sociale, por edhe kulturore, cili ka ndikuar më shumë historinë e njerëzimit, Krishti apo Muhamedi?

Më duket se Krishti, por jo për shkak të dominimit të perëndimit në pjesën më të madhe të historisë. Krishterimi është vetëm një pjesë e qytetërimit perëndimor.

Besëtytnitë; i njihni, i sundoni apo ju sundojnë?

Të gjithë kemi momentet tona besëtyte.

Si do ta përkufizonit Haxhi Qamilin?

E përfytyroj shpesh si grua, si kryetare parlamenti.

Tradita dhe folklori shqiptar njohin pritën dhe jo duelin. Pse?

Smë kish shkuar mendja. Në fakt, nuk më duket gjithnjë kështu. Edhe dueli njihet. Gjergj Elez Alia në duel ka dalë. Me bajlozin. Por pusia, ndoshta keni të drejtë, duhet të jetë më e pranishme si mise-en-scène folklorike. Pusia na shkon ne shqiptarëve më shumë se dueli.

A është Kanuni libri më pak i lexuar dhe më shumë i interpretuar ndër shqiptarë?

Me siguri, po.

A keni menduar ndonjëherë ky vend nuk bëhet?

Jo, shprehja ky vend nuk bëhet, nuk më pëlqen. Por mendoj gjithnjë ashtu si Berlusconi mendon ndonjëherë për vendin e vet, d.m.th., që ky është vend muti, gjë që në thelb mund të jetë e njëjta gjë.

A shihni vazhdimësi të PPSH-së në PSSH?

Jo. Një optikë të tillë të thjeshtëzuar ka rrezik të mos e kam pasur as në vitin 1991.

Ka një alarm rreth ekzistencës së shtypit të shkruar. A do dhe si mund të mbijetojë?

Do të mbijetojë, por mundësitë për të bërë biznes me të do të jenë më të vogla.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›