Berluskoni do të kandidojë për postin e kryeministrit

Silvio Berlusconi do të rikandidojë në postin e kryeministrit të Italisë. Sipas Corriere della Sera-s, Kavalieri i ka kaluar javët e fundit duke shqyrtuar sondazhet, duke analizuar skenarët për zgjedhjet e vitit 2013, duke dëgjuar drejtuesit e PDL-së, dhe më në mund ka vendosur të rikandidojë në postin e Kryeministrit.
Sipas gazetës, sondazhet e fundit që kanë mbërritur ne tryezën e Berlusconi-t flasin se një PDL pa Berlusconi-n nuk do të arrinte të merrte as 10 për qind të votave, ndërsa kandidatura e Angelino Alfano-s për postin e Kryeministrit, me Kavaljerin në lojë si President i Partisë, mund të sigurojë një mbështetje rreth 18 për qind të votuesve.
Dy muajt e verës do të shërbejnë për të përgatitur daljen në fushën e lojës së Berlusconi-t. Ky i fundit do të heqë dorë nga pushimet në Vilën Certosa në Sardenjë dhe do të qëndrojë në Arcore, pikërisht që në shtator të jetë me kartat gati: një emër tjetër për Partinë, një skuadër 40-vjeçaresh që do promovojnë aventurën e re politike, konsultimet me liderët ndërkombëtarë, me të cilët ka mbajtur lidhje dhe gjetjen e kandidatëve të aftë për të marrë vota prej zgjedhësve.