Berisha: Të nxisim sipërmarrjen private që rrit punësimin

Kryeministri Berisha i është referuar sërish sot punësimit ndërsa ka theksuar se rritja e punësimit në Shqipëri është bërë falë sipërmarrjes private. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha kërkoi nga ministritë të ndërmarrin reforma për të bërë të mundur nxitjen e sipërmarrjes private dhe favorizimin e bizneseve që punësojnë më shumë.
“E gjithë axhenda e ministrive tuaja duhet të rishqyrtohet në përputhje me punësimin si interesi më jetik për qytetarët shqiptar. Nëse ia kemi dalë që mos të kemi rritje të papunësisë duhet të bëjmë gjithçka që të kemi ulje edhe më të mëdha dhe kjo është absolutisht e mundur por të shohin pas çdo sipërmarrje private, pas çdo reforme që i kontribuon asaj dhe punësimit të shqiptarëve” shtoi Berisha.
Sipas kryeministrit duhet të shqyrtohen të gjitha potencialet për zgjerimin e sektorëve privat dhe të rishihen rregullat të cilat duhen ndryshuar për t`i bërë ato më miqësore për biznesin.
Ai gjithashtu i kërkoi opozitës të heqë dorë nga sulmet kundër investitorëve dhe nga deklaratat për anulimin e privatizimeve apo koncesioneve.
"Opozita është e mirëpritur të kontrollojë në çdo qelizë veprimtarinë e qeverisë, por sulmi në bllok kundër investimeve të huaja dhe inciativës së lirë është kundërproduktiv për vetë opozitën, por nuk është i mirë dhe për vendin. Është bërë zakon pas çdo vendimi të qeverisë për t`i hapur rrugë iniciativës së lirë opozita del zotohet se do ta anulojë atë. Ardhja e saj në qeveri mbetet horizont i paarritshëm sa të vazhdojë në këtë mënyrë” tha Berisha.