E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni i mbijeton mocionit të mosbesimit

Kundërshtarët e tij, deputetët e Finit, në vend të votës kundër abstenojnë

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, i ka mbijetuar një mocioni mosbesimi të kërkuar dje në Parlament nga opozita në adresë të një ministri të qeverisë së tij, i cili është në hetim. Kjo ishte prova e tij e parë e madhe që pas çarjes me deputetët e aleatit të tij Fini disa ditë më parë. Grupi rebel që e braktisi koalicionin, i drejtuar nga kreu i Parlamentit, Fini, në vend që të votonte kundër ministrit të Berluskonit në këtë votë, abstenoi. Ky vendim ka bërë që qeveria e Berluskonit të vazhdojë të qëndrojë në pushtet. Parlamentarët e opozitës paraqitën disa ditë më parë një votë mosbesimi ndaj ministrit të Drejtësisë së kabinetit qeveritar, i cili akuzohet për korrupsion dhe përfshirje në afera të dyshimta. Për sa i takon votës së djeshme, Berluskoni fitoi falë abstenimit të “rebelëve”, sepse në të kundërt do ishte shkaktuar një çarje e madhe në qeveri dhe sipas të gjitha gjasave, vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, sipas analistëve politikë që ndjekin nga afër situatën në Itali, edhe fakti i abstenimit është një tregues i dobësisë së Berluskonit, i cili nuk gëzon më në qeveri dhe koalicion, pozita të forta dhe të pathyeshme dhe ndoshta në një rast tjetër, ai nuk do të përballet me abstenim, por me vota kundër. Berluskoni, në të shkuarën, ka deklaruar me forcë se ai do të vazhdojë që të qëndrojë në pushtet deri në fundin e mandatit zgjedhor, domethënë deri në vitin 2013. Megjithatë ka pasur spekulime që Berluskoni mund të thërrasë edhe zgjedhje të shpejta të parakohshme para se Fini të ketë kohë që të kristalizojë lëvizjen e tij dhe të shndërrohet në një rival serioz për Berluskonin, që gjithsesi shpreson që të fitojë edhe në të ardhmen pa asnjë problem, duke qenë se në Itali opozita thuajse nuk ekziston. Fini i ka rezistuar presioneve nga Berluskoni për t’u larguar nga pozicioni i kreut të Parlamentit dhe javën e kaluar, në kulmin e krizës, ai shpalli edhe krijimin e një grupi të quajtur “E ardhmja dhe liria” për Italinë. Fini prej kohësh nuk është në marrëdhënie të mira me Kryeministrin italian, me të cilin kanë qenë në aleancë që prej shumë vitesh dhe kanë mbështetur për një kohë të gjatë njëri-tjetrin. Ai është zënë me Berluskonin në lidhje me çështjet e moralit politik që i mungon thelbësisht qeverisjes së Berluskonit dhe të ligjshmërisë në qeverisje. Sipas Finit, politikanët e përfshirë në hetime duhet që të largohen nga detyra menjëherë dhe ky ishte edhe rasti i ministrit të Drejtësisë, i cili, edhe pse nën hetim, vazhdon që të mbajë postin ministror. Ndër të tjera, Fini ka qenë edhe kundër një sërë ligjesh të propozuara nga Berluskoni, që sipas tij e kufizojnë të drejtën dhe lirinë e individit në Itali, siç është rasti i ligjit të përgjimeve. Sa për Berluskonin, ai ka qenë përfshirë vazhdimisht në hetime dhe çështje gjyqësore dhe të natyrave të ndryshme, kryesisht nën akuzat e korrupsionit. Ai i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Kundërshtarët e akuzojnë Berluskonin për krijimin e situatave ligjore në favor të tij, sidomos në rastet kur ai përballet me drejtësinë. Fini është bashkëthemelues i partisë “Populli i Lirisë” së Berluskonit.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›