Kushtet e vizave alarmojnë qeverinë

Raporti i ekspertëve të Komisionit Europian për vizat, pritet që të jetë “djegës” për Shqipërinë, pikërisht për dy “nyjat gordiane” ende të pazgjidhura siç janë lufta ndaj krimit dhe ndaj korrupsionit. Ndaj Kryeministri Berisha ka kërkuar që në shtator të plotësohen këto kritere duke parashikuar edhe “sakrificë” administrative: kështu, administrata shqiptare do të qëndrojë në punë edhe gjatë muajit gusht. Kjo për shkak të detyrimit për të shqyrtuar edhe raportet që vijnë nga Komisioni Europian, të cilat evidentojnë edhe çështjet e pazgjidhura nga ana e Shqipërisë për të përfituar regjim të liberalizuar vizash. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë kërkoi që administrata të ishte në gatishmëri të plotë për sa i përket kësaj faze të rëndësishme në procesin e liberalizimit të vizave. “Administrata ka bërë punë të shkëlqyer, sepse pa përkushtimin, mundin dhe djersën e tyre, do të kishte qenë e pamundur përmbushja e kërkesave të udhërrëfyesit, për një nga vendimet më historike që merret për shqiptarët, ndaj sërish ju ftoj që gjatë muajit gusht të studiohen raportet dhe në fund të muajit, sipas afatit të përcaktuar, t’u ktheni përgjigje. Ato kërkojnë një shqyrtim kompleks”, theksoi Berisha në mbledhjen e qeverisë. Sipas tij, përqendrimi kryesor duhet të ishte në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ndonëse sipas kreut të qeverisë, Shqipëria ka bërë arritje të mëdha në këto fusha, Berisha nuk ngurroi të shprehet se lufta ndaj këtyre fenomeneve duhet të vazhdojë. “Lufta kundër korrupsionit është e pasosur, nuk përfundon kurrë, por e cila shënon sukses. Në këtë aspekt, shqyrtimi dhe rishqyrtimi i përpjekjeve tona në këtë luftë është domosdoshmëri, për të konsoliduar atë që është arritur dhe për të kapur nivel tjetër. Po ashtu, lufta kundër krimit të organizuar është një luftë që nuk ndërpritet kurrë”, u shpreh Kryeministri. Por nga ana tjetër, Berisha deklaroi se raportet e KE-së deri tani kanë qenë shumë objektive, nisur edhe nga fakti se ekspertët e Komisionit patën mundësinë t’i prekin realisht transformimet dhe problemet në vend. Kreu i qeverisë foli dje edhe për rëndësinë e madhe që ka procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. “Ne kemi një numër më të madh emigrantësh, se çdo vend tjetër dhe janë jo të pakta gëzimet apo hidhërimet, që familjet, për shkak të regjimit të vizave, nuk i ndajnë së bashku. Ky është një nga aspektet dhe natyrisht, është më njerëzori”, theksoi Berisha. Por, nga ana tjetër, sipas Berishës, lëvizja e lirë përbën edhe një ridimensionim të dinjitetit, të mundësive dhe potencialeve. Nisur nga kjo nevojë e madhe, sipas Kryeministrit, liberalizimi i vizave është një prioritet madhor i qeverisë dhe për këtë arsye energjia për këtë proces kërkohet në kuota maksimale. Shqiptarët, në datë 9 nëntor, do të marrin përgjigje për aspiratën e tyre për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimit Europian. Kjo për faktin se Komisioni Europian ka vendosur këtë datë për shqyrtimin nga ana e Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE, kërkesën e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës lëvizjen e lirë. Nëse gjatë kësaj mbledhjeje vendimi i ministrave të Brendshëm të BE-së do të jetë pozitiv, atëherë vendimi për heqjen e vizave futet në fuqi për 20 ditë.
#