Voskopojë, helmohen nga ushqimi 38 fëmijë nga Elbasani

Shkojnë për pushime në Voskopojë, helmohen nga ushqimi 38 fëmijë nga Elbasani. Një grup prej të paktën 80 personash që kishin mbërritur për të kaluar disa ditë pushime në pikën turistike të Voskopojës janë rrezikuar seriozisht nga ushqimi që kanë konsumuar, ndërsa pothuajse gjysma e tyre është dashur të marrin ndihmën mjekësore. Shkak mendohet të jetë bërë konsumimi i ushqimeve që nuk kanë plotësuar kushtet higjieno-sanitare dhe nuk janë ruajtur në kushte frigoriferike. Ekskursioni i organizuar nga një shoqatë islamike e Elbasanit me një grup të madh fëmijësh është ndërprerë në mes, kur shumë prej tyre nuk janë ndier mirë pasi kanë ngrënë drekën në restorantin e kampit të pushimit. Fëmijët kanë shfaqur shenja të helmimit: të vjella, dhembje koke dhe diarre. Pjesëtarët e rritur të grupit dhe mësuesit kanë ndërhyrë fillimisht për t’iu ardhur në ndihmë me mjete rrethanore e më pas duke njoftuar infermierët dhe mjekët e zonës. Ndërkaq me një furgon me të cilin kishin ardhur pas organizimit si grup, tetë fëmijë janë nisur urgjentisht për trajtim në spitalin e qytetit të Korçës. Vetëm fëmijët që kanë konsumuar ushqime nga restoranti kanë shfaqur shqetësime, ndërsa të tjerët, të cilët kishin marrë ushqime me vete, kanë mundur të shpëtojnë nga helmimi. Mësohet se fëmijët kishin konsumuar fileto pule, pilaf dhe sallam gjatë drekës. Dyshohet se ruajtja e ushqimeve në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare ka ndikuar në helmimin masiv të vogëlushëve.
Sapo kanë mbërritur në spitalin civil të qytetit, dy prej fëmijëve që ishin në gjendje më të rëndë shëndetësore, janë shtruar në repartin e terapisë intensive në spitalin rajonal të Korçës. Ndërkohë që gjashtë të tjerë në ambientet e repartit pediatrik të Korçës. Bluzat e bardha të këtij pavijoni thanë për “Shqip” se fëmijët kanë shfaqur shenja të intoksikimit ushqimor dhe sapo janë paraqitur, i janë nënshtruar trajtimit me perfuzione dhe serume. Sipas tyre, vetëm dy prej tyre kanë qenë në gjendje më të rëndë shëndetësore, ndërkohë që shëndeti i gjashtë të tjerëve është më i stabilizuar. Sipas mjekëve të spitalit, fëmijët kanë konsumuar prodhime mishi që mendohet se kanë qenë të ndenjura ose të ruajtura në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare. Ndërkohë që fëmijët e tjerë të prekur nga helmimi, pasi kanë marrë ndihmën e parë në mjediset e kampit, janë dërguar pranë familjeve në Elbasan, me autobus në orët e mbrëmjes. Ndërkaq organet kompetente kanë nisur menjëherë nga puna për zbardhjen e shkaqeve që çuan në helmimin masiv të fëmijëve. Specialistët e higjienës kanë marrë kampione të ushqimit dhe pritet përgjigjja e tyre për nxjerrjen e konkluzioneve përfundimtare. Vetëm pas marrjes së përgjigjeve nga laboratori do të merren masa për shkaktarët e intoksikimit të 38 fëmijëve nga Elbasani.
#