Bërthamoret, Teherani sfidon sërish: "Do të ndërtojmë 10 impiante të tjera"
Qeveria iraniane ka vendosur të ndërtojë dhjetë impiante të reja për pasurimin e uraniumit në muajt në vijim. Vetë Presidenti Ahmadinexhad ka lajmëruar se Teherani po mendon për pasurimin e uraniumit përtej shifrës 20 për qind (për të ndërtuar një bombë bërthamore është i nevojshëm një pasurim prej 90 për qind). Me këtë rast, lideri i Republikës Islamike është zotuar se nuk do të lejojë askënd të prekë të drejtat e Iranit. Teherani ka vendosur si objektiv prodhimin e 250-300 tonë materiali bërthamor në vit, ka shtuar më tej Presidenti. Po ashtu, mazhoranca e parlamentarëve iranianë i ka kërkuar Ahmadinexhadit të reduktojë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike dhe të vazhdojë programin bërthamor iranian pa asnjë pengesë. Duke sfiduar hapur komunitetin ndërkombëtar, parlamentarët e Republikës Islamike kanë dashur të tregohen sypatrembur përballë sanksioneve të aprovuara të premten nga AIEA, që dënonte programin bërthamor iranian e kërkonte mbylljen e impaktit në rrethinat e qytetit të Qom-it. Ky lajm publikohet në ditën kur drejtori i përgjithshëm i AIEA-s, Mohamed El Baradei, dha dorëheqjen pas 12 vjetësh punë në krye të agjencisë. Në vend të tij u zgjodh japonezi Yukiya Amano. El Baradei gjithmonë ishte kritikuar për një sjellje shumë të butë kundrejt Iranit.