Zvicra i thotë jo ndërtimit të minareve
Zvicra i thotë jo ndërtimit të minareve. Çuditërisht iniciativa për ndalimin e simboleve fetare myslimane u pranua në referendum me 57 për qind të votave. Në bazë të rezultateve zyrtare, vetëm katër nga 26 kantonet që formojnë konfederatën kanë refuzuar kërkesën e kërkuar nga partia e së djathtës populiste të UDC-së dhe të djathtës kristiane të UDF. Vota do të sjellë ndryshimin e nenit 72 të Kushtetutës, që rregullon raportin mes shtetit dhe objekteve fetare. Ndalimi i ndërtimit të minareve do të futet në Kushtetutë si një masë e marrë për të ruajtur paqen mes anëtarëve të komuniteteve të ndryshme fetare. Rezultati konsiderohet nga analistët si një surprizë e madhe, që kundërshton sondazhet sipas të cilëve 53 për qind e popullit ishte në favor të "jo"-së. Ndërkaq, si qeveria ashtu edhe opozita ishin shprehur kundër aprovimit të referendumit. Myslimanët, që përbëjnë 5 për qind të popullsisë zvicerane, kanë rreth 200 vende lutjeje, por vetëm katër minare, që nuk përdoren për lutje. Populli votoi gjithashtu me referendum për të ndaluar eksportin e armëve. Megjithatë, kjo iniciativë u hodh poshtë. "Vendimi popullor ka të bëjë vetëm me ndërtimin e minareve të reja dhe nuk do të thotë refuzim të komunitetit mysliman, të besimit apo kulturës së tyre. Dhe qeveria e garanton plotësisht këtë", ka pranuar ministrja zvicerane e Policisë dhe Drejtësisë, Eveline Widmer-Schlump. Qeveria zvicerane "respekton" vendimin e mazhorancës, megjithatë "rezultati i votimit nuk ka asnjë efekt mbi katër minaret ekzistuese dhe ndërtimi i xhamive vazhdon të jetë i mundur. D.m.th. edhe në të ardhmen në Zvicër myslimanët mund të kultivojnë besimin e tyre fetar, duke e praktikuar atë individualisht apo në komunitet", saktëson qeveria. Për ministren, rezultati i votimeve është shprehje e frikërave të përhapura në popullsi kundrejt rrymave islamike fondamentaliste: "Këto frikëra duhen marrë në konsideratë dhe qeveria e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë. Megjithatë, Këshilli Federal thoshte se ndalimi për ndërtimin e minareve të reja nuk ishte një mjet efikas në luftën kundër tendencave ekstremiste". Myslimanët që jetojnë në Zvicër thonë se ndërtimet e fundit të objekteve të kultit të besimeve të tjera, përfshi kishën ortodokse serbe, janë prova se e vetmja fe që po diskriminohet nga autoritetet zvicerane është feja islame.
Qeveria zvicerane druhet se ndalimi i minareve mund të shkaktojë protesta të komunitetit mysliman dhe mund të dëmtojë marrëdhëniet e Zvicrës me vendet islamike. Kritikët pranojnë se minaret shpesh paguhen nga ekstremistët dhe përdoren si simbole politike, çka përbën, sipas tyre, shkelje të Kushtetutës zvicerane. Ata thonë gjithashtu se minaret nuk janë detyrim sipas islamit.
Por, përveç ndërtimit të minareve, zviceranët votuan në referendum edhe për eksportin e armëve. Ashtu siç parashikohej dhe siç kishte ndodhur në votimin e vitit 1997, iniciativa kundër eksportit të armëve nuk arriti të mbledhë mazhorancën e duhur, pasi 68.2 për qind e votuesve i thanë jo. Pothuajse të gjithë kantonet ishin në një mendje për sa i përket votimit.