Bërzhita si Lazarati, policia sekuestron sasi të mëdha kanabis
Jo vetëm në Lazarat, por edhe në Tiranë canabis mund të rritet deri në 2. 5 metra. Një operacion i Policisë së Tiranës ka zbuluar ditën e djeshme, një parcelë në pronësi të Astrit Muratit, 60 vjeç i cili e kishte mbjellë lëndën narkotike në disa parcela në mes të pyllit me pisha pa e diktuar askush. Më pas ky person është kujdesur për marihuanën e cila i kalonte sipas informacioneve të Policisë mbi 2000 rrënjë, deri në rritjen përfundimtare të saj. Parcela e madhe me canabis sativa është zbuluar 27 km larg nga kryeqyteti në fshatin Lug të komunës Bërzhitë, pranë përroit të Thanës. Sipas Policisë së kryeqytetit, bima e hashashit ka arritur një lartësi të konsiderueshme, ku sipas matjeve kalonte 2.5 metra ndërsa ishte gati për tu mbledhur. Policia bën të ditur se kanabisi kultivohej nga familja Murati dhe parcela ku ishte mbjellë është një zonë tepër e vështirë për tu evidentuar nga helikopterët italianë të pajisur me fjalën e fundit të teknologjisë për zbulimin e bimëve narkotike. Nga të dhënat e uniformave blu që bënë pjesë në aksion anti-drogë, nëse kanabisi do të hidhej në treg do të kapte vlerën e 600 mijë eurove.
Precedenti
Aksioni për arrestimin e tre shtetasve që mendohet se ishin edhe kultivuesit e lëndës narkotike, u bë i mundur nga operacionet e vazhdueshme që Policia e Shtetit ka realizuar gjatë muajve të verës në gjithë vendin për të sekuestruar parcelat e mbjella me drogë. Por në rastin e parcelës së mbjellë në fshatin Bërzhitë, kanë ndihmuar edhe disa të dhëna që kanë mbërritur në zyrën operacionale të Policisë, nëpërmjet numrit të vënë në dispozicion për denoncimet ku disa banorë të zonës, kanë telefonuar uniformat blu. Mësohet se Policia e Tiranës ka arrestuar shtetasit Xhemal dhe Astrit Murati 60 dhe 28 vjeç, si dhe 16-vjeçarin R.Murati, banorë të komunës Bërzhitë, të cilët akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike. Në parcelën, ku ishin mbjellë rreth 2000 rrënjë kanabis, ishte improvizuar dhe një rezervuar që shërbente për ujitjen e bimës narkotike. Bima narkotike u asgjësua në vend nga policia.
Operacionet në jug
Ndërkohë në jug të vendit po vijojnë prej ditësh operacione për ndalimin e kultivimit të lëndës narkotike, hashashit. Prej ditësh policia antidrogë në bashkëpunim me FNSH kanë shoqëruar dhjetëra persona që paguheshin si persona që kujdeseshin për kultivimin e kanabisit. Para pak ditësh ka qenë Guardia Di Finanza që gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Policinë e Shtetit shqiptar konfirmoi se Lazarati vijon të mbetet baza e prodhimit me tonelata të hashashit dhe se Shkodra, Vlora e Gjirokastra jane prefekturat me problematike. Raporti i monitorimit të vendit nga ajri tregoi se Lazarati është kryeqendra e kultivimit të bimëve narkotike në Shqipëri ,e një prodhim prej 900 kilogramësh në vit me vlerë 4.5 miliard euro. Rreth 25 parcela të mbjella me kanabis janë zbuluar ditën e djeshme në komunën Pult ne Shkodër. Policia ka bërë të mundur asgjësimin e 9 100 rrënjë kanabis, ndërsa ka nisur procedimin penal në gjendje të lire ndaj kryeplakut të fshatit, Plan Gjon Bungu, nën akuzën e moskallëzimit të Krimit. Asgjësimi i kanabis u bë pas një informacioni të marrë në rrugë operative, ndërsa ka nisur hetimet për gjetjen dhe të personave të cilët e kultivonin lëndën narkotike.
FNSH hyn në Lazarat, operacion për kultivimin e kanabisit
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, kanë zbarkuar në Gjirokastër në kuadër të operacionit kundër kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Lazarat. Forcat e FNSH-së janë bërë pjesë e postblloqeve në rrugë dhe mbajnë nën monitorim lëvizjet nga fshati prodhues i drogës duke mos lejuar mjetet me ujë dhe pleh të hyjnë në Lazarati si dhe punëtorët që merren me kultivimin e bimës narkotike. Policia e Gjirokastrës prej 3 ditësh vijon aksionin për bllokimin e kultivimit të kanabisit në fshatin Lazarat.
Gjatë një aksioni të ndërmarrë mëngjesin e së mërkurës, policia ka bllokuar mjetet që transportonin ujë dhe pleh drejt fshatit si dhe ka ndaluar edhe 49 persona të cilët besohet se do të punonin në Lazarat për kultivimin e bimës narkotike. Pak ditë parë, raporti i monitorimit të vendit nga ajri tregoi se Lazarati është kryeqendra e kultivimit të bimëve narkotike në Shqipëri ,e një prodhim prej 900 kilogramësh në vit me vlerë 4.5 miliard euro.