E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregdeti në kantier ndërtimi, ja ndërtimet pa leje që do prishen në Vlorë e Himarë

Kryebashkiakët: Fushata zgjedhore ka prishur punë duke premtuar legalizim për çdo objekt

 Ndertimet pa leje ne bregdetVitet e fundit gjithë bregdeti shqiptar është shndërruar në një kantier ndërtimi. Me gjithë premtimet dhe nismat e bashkive të jugut, numri i ndërtimeve pa leje jo vetëm që nuk është ndalur por madje është shtuar. Përveç zaptimit të çdo hapësire të lirë publike, ndërtime të tilla dëmtojnë rëndë edhe imazhin e zonave bregdetare. Vlora, Saranda dhe Himara janë më të prekurat nga ndërtimet informale.

Ndërtimet pa leje

Godina shumëkatëshe, ende të papërfunduara, gërryerje të malit, lokale të futur brenda në det, zjarre të vëna qëllimisht për të hapur toka të reja për ndërtime, është kjo panorama që të ofrojnë qytetet bregdetare ndërsa je me pushimet verore. Lidhur më këtë problem kanë reaguar dje në media krerët e bashkive të jugut, të cilët shprehen se të gjitha ndërtimet informale do të shemben. Kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergj Goro, tregon së Bashkia që ai drejton i ka evidentuar prej vitesh ndërtimet pa leje, ndërsa u bën apel qytetarëve të mos ndërtojnë pa leje, pasi është kosto e hedhur dëm.

Himara

“Kemi vite që i kemi të evidentuara ndërtimet pa leje, por e rëndësishme është që Himara, ndryshe nga çdo bashki tjetër ka planin e vet të zhvillimit dhe mbi bazën e planit të zhvillimit çdo ndërtim që është bërë pa leje jashtë kushteve të terrenit, jashtë kushteve të këtij studimi urbanistik, detyrimisht do t’i nënshtrohet prishjes. Me këtë rast, me këtë intervistë që po jap, u them të gjithë atyre që përpiqen të ndërtojnë pa leje, të mos guxojnë sepse çdo ndërtim do të shkojë në det”, tha Goro, ndërsa ka shtuar se edhe ato ndërtime që janë me leje, por që ndodhen në vende dhe zona të papërshtatshme duhet të prishen, por se në të njëjtën kohë duhet të hartohet dhe një plan për rivitalizimin e këtyre hapësirave. “Zgjatja e tranzicionit shqiptar dhe mospasja e një plani të vërtetë zhvillimi ka bërë që gjatë çdo periudhe secili të ketë ndërtuar sipas pikëpamjes së vet. Janë dhënë leje të papërshatshme, në vende jo të përshtatshme, me kate të larta, me një fasadë jo të përshtatshme. Unë mendoj që duke u zhvilluar plani, duke pasur mundësi të tjera dhe një vizion më të qartë, pjesë-pjesë këto do të zëvendësohen me ndërtime të përshtatshme, do të prishen dhe do të bëhen ndërtime të tjera. Duhet të ndryshojë patjetër ligji për ndërtimet pa leje. Të bëhet një cikël i mbyllur, ku të mos guxojë njeri të mendojë të ndërtojë më pa leje”, tha Goro.

Vlora

Ndërsa në qytetin e Vlorës ndërtimet janë zhvendosur në kodrat e qytetit. Prej disa javësh, Bashkia e këtij qyteti ka nisur një aksion për prishjen e disa prej tyre, që sipas kryebashkiakut Shpëtim Gjika do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. “Kemi një handikap ligjor, sepse këto fushatat elektorale shumë herë ndikojnë për keq, sepse në prag të fushatës elektorale, u dha sinjali se mund të ndërtohet sepse gjithçka do të legalizohet dhe kjo na ka vënë në një vështirë shumë të madhe. Kudo ku ndërhyjmë, në ato ndërtime që bien ndesh me planin e zhvillimit, ndeshemi me procedura abuzive apo procedura të çuditshme të legalizimit të këtyre objekteve”, tha Gjika.

Ndërtimet me leje

Duke u ndalur tek ato ndërtime me leje, por që bien ndesh me një plan të ardhshëm për rivitalizimin e vijës bregdetare, Gjika shpjegon se këto leje janë dhënë konform ligjeve në fuqi, por shprehu gatishmërinë për ti prishur ato nëse Qeveria e re harton një plan për vijën bregdetare. “Eshtë një fenomen i cili është parashikuar dhe është i mbështetur në ligj. Nëse ka një plan zhvillimi, një projekt për të rikualifikuar zonën e bregdetit apo në mënyrë të veçantë dhe vendin ku mund të jetë ky objekt me leje, patjetër që duhet të hyjë në procedura shpronësimi për të vazhduar pastaj me procedurat e tjera për të rikualifikuar këtë zonë. Unë, si kryetar i Bashkisë së Vlorës jam i prirur dhe i vendosur, së pari për të mos u kthyer mbrapsht për asnjë ndërtim pa leje, qoftë ky edhe në procedurë legalizimi, e cila jam i bindur që është në abuzim të plotë me ligjin, sepse nuk mund të hyjë në procedurë legalizimi, atje ku bashkia ka perspektiva apo plane studimi, apo plane zhvillimi, dhe së dyti, nuk jam peng i askujt, e kam moralin shumë të pastër, për të ndërhyrë edhe atje ku është objekti me leje, nëse kjo do të mbështetet pastaj me zhvillim dhe me projekte të përmirësimit të situatës, qoftë kjo situatë infrastrukturore, qoftë situatë rrugore apo qoftë kjo situatë e përmirësimit dhe e rikthimit të bregdetit në identitet”, tha Gjika.

Qeveria e re

Nga Vlora, Dhërmiu, Jali, Livadhi, Himara e Qeparo, të konsideruara si plazhet më magjepsëse të Shqipërisë dhe që çdo vit thithin me mijëra turistë të huaj apo vendas, pushuesit janë të detyruar të dëgjojnë dhe zhurmën e makinave, betoniereve, vareve dhe punëtorëve, të cilat në çdo orar të ditës vijojnë punën për ndërtimin e godinave të reja. Përballë këtij fenomeni pushteti vendor ndjehet i pafuqishëm për të ndërhyrë, në një kohë që këtë e ka marrë përsipër ta bëjë Qeveria e re, ku këtë vjeshtë kryeministri i zgjedhur Edi Rama ka lajmëruar fillimin e aksionit për prishjen e çdo ndërtimi pa leje.

Vlorë, pronarët rindërtojnë objektet e shembura

Dje në Vlorë ka vijuar aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në Pyllin e Sodës. Gjatë aksionit policia bashkiake ka prishur edhe disa objekte, që megjithëse ishin shembur më parë, janë rindërtuar sërish nga pronarët. Ndërkohë problematike mbetet prishja e ndërtimeve tashmë të legalizuara, ku pronarët e tyre pretendojnë se i kanë ndërtuar konform rregullave ligjore. Këto të fundit kanë hapur edhe një proces gjyqësor, ku gjykata ka vendosur pezullimin e shembjes së këtyre objekteve nga ana e Bashkisë. Ndërkohë kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika deklaroi se aksionet do të shtrihen në të gjithë vijën bregdetare dhe pjesë e tij do të jenë edhe ato ndërtime që kanë leje, por që janë jashtë planit të përcaktuar urbanistik të qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›