Besa e Kavajes skuadra me e fundit qe ngjitet ne Superlige

Skuadra e 12-të e Superligës u përcaktua dhe ajo do të vijë nga Kavaja. Besa bëri një rrugë të gjatë deri në Korçë e kthim për të mundur 2-0 Kamzën dhe për të siguruar ngjitjen në elitë.
Skuadra verdhezi pati epërsi thuajse gjatë gjithë 90 minutave të këtij takimi përcaktues plej auti duke shënuar fillimisht me anë të Elton Roshit që në minutat e para, ndërsa për të dyfishuar rezultatin mendoi Meglid Mihani në pjesën e dytë, pas një kundërsulmi të saktë dhe të shpejtë.
Kamzalinjtë, që vinin në përballje si ekip i një kategorie më lart, nuk arritën ta mbronin një emër të tillë, duke mos gjetur dot asnjë përgjigje për lojën e një Bese më të etur për të mos vazhduar më në Kategorinë e Parë, pas një sezoni të vështirë.
Fundi, pra ishte një festë e tifozëve të shumtë të ardhur nga Kavaja dhe e futbollistëve në fushë që gëzuan bashkë me trajnerin e tyre peqinas, Gugash Magani, njeriu që vjet iu afrua titullit të Superligës me Flamurtarin e Vlorës.
Tashmë mbeten edhe dy takime të tjera në plej aut, të cilat do të luhen të ndara në dy ditët e fundjavës. Së pari, të shtunën në “Qemal Stafa” do të ndeshen Tomori i Beratit me Besëlidhjen e Lezhës, ndërsa të dielën, në “Niko Dovana” të Durrësit do të jetë derbi i Myzeqesë, mes Apolonisë së Fierit dhe Lushnjes. Të dyja nisin në orën 16:30.