Besa për fitore kundër Ethnikos Achnas
Besa e Kavajës do të nisë sot aventurën e parë të saj në Kupën Intertoto, kur formacioni i presidentit Nexhat Bizhdili do të përballet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, më 21 qershor (ora 20:30), me skuadrën Ethnikos Aknas. Qipriotët e Ethnikos Aknasit janë të njohur në Shqipëri pasi dy sezone më parë kanë luajtur kundër Partizanit po të turin e parë të Kupës Intertoto, duke i eliminuar të kuqtë: fituan 4-2 në Qipro dhe humbën 2-1 në “Selman Stërmasi”. Besa sezonin e kaluar në Kupën UEFA arriti të kalojë një tur, kur eliminoi serbët e Bezaninjës (2-2, 0-0), ndërkohë që në turin e dytë u shkatërrua nga Liteks i Loveçit: 0-3 në Durrës dhe po 3-0 në Bullgari. Ndeshja do të gjykohet nga gjyqtarë nga Irlanda e Veriut. Alan Blek është bilbili kryesor, ndësa asistentë të tij janë Xhon Mekdouell dhe Endrju Nison. Gjyqtari i katër do të jetë ndërkombëtari shqiptar Albano Janku, ndërsa vëzhguesi i arbitrave është maltez Çarlz Agius. Delegat i UEFA-s është skocezi Huf Uilson nga Skocia. Kjo do të jetë hera e parafundit që do të zhvillohet Kupa Intertoto, e lindur në vitin 1995, pasi UEFA ka marrë vendimin për ta pezulluar atë pas sezonit 2009-2010. Ndeshja e parë e raundit të parë të Kupës Intertoto do të zhvillohet më 21 qershor, ndërsa ajo e kthimit, më 28 qershor (në Qipro). Nëse Besa do ta kalojë skuadrën qipriote, atëherë në turin e dytë do të përballet me një ekip zviceran, Grasshopersin. Nëse gjithçka do të shkojë mbarë në raundin e tretë na pret një skuadër bullgare ose fituesja e çiftit Maltë-Slloveni.
Kapllani si Kristiano Ronaldo, vishet me “Nike”
Kur Shqipëria do të përballet me Portugalinë në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010, sulmuesi i kombëtares shqiptare Edmond Kapllani (golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në kualifikueset Euro 2008) do ta ndjejë veten të barabartë me lojtarin më të mirë në botë, Kristiano Ronaldon. Të dy lojtarët, ashtu si gjithë të tjerët do të luajnë me të njëjtën fanellë. Ose më mirë me fanellat e prodhuar nga gjiganti amerikan “Nike”, kompania më e madhe e produkteve sportive në botë. Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizoi dje në ambientet e Hotel “Tirana International” marrëveshjen me kompaninë “Nike”, ku firmat në kontratën dyvjeçare u hodhën nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe përfaqësuesi ekskluziv i “Nike” për Ballkanin, Igor Milojeviç i kompanisë “Delta Sport”.
Kontrata do të jetë për të gjithë periudhën e ndeshjeve eliminatore të Kampionatit Botëror 2010 (Afrika e Jugut). “Nike” do të veshë përfaqësuesen shqiptare me të gjitha veshjet. Risia është e kësaj marrëveshje është topi. Të gjitha ndeshjet e Kombëtares shqiptare do të luhen me topin “Nike”. Kompania amerikane është themeluar në vitin 1972 dhe në vitin 2007 nga shitjet në të gjithë botën kishte një xhiro vjetore prej 16.2 miliardë dollarësh dhe me një fitim neto prej 1.5 miliardë dollarë.
21 Qershor 2008