E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidink: “Do të jetë speciale”



Trajneri i Holandës, Marko van Basten do të hedhë formacionin e tij më të preferuar, pasi la pushim disa nga lojtarët më të mirë në fitoren kundër Rumanisë (2-0). Kjo do të thotë se vetëm Khalid Bulahrouz dhe Arjen Roben do të ruajnë vendet e tyre. Rud van Nistelroi, Andre Oijer dhe Dirk Kajt do të rikthehen në formacionin e parë. “Ne pamë me shumë kujdes atë që spanjollët bënë kundër tyre dhe nxorëm mësime nga kjo”, - tha Marko van Basten, duke iu referuar ndeshjes së humbur 4-1 nga Rusia me Spanjën. Gjithsesi, Marko van Basteni beson se ekipi i tij është i përgatitur të fitojë edhe në rast se ndeshja do të shkojë te penalltitë. Në shtatë kampionatet e fundit holandezët janë humbur katër herë nga pika e bardhë, seri që përfundoi kur ata mundën Suedinë në çerekfinalet e Euro 2004-s. Van Basten tha se skuadra e tij i ka praktikuar vazhdimisht penalltitë qysh kur ka nisur përgatitjet për fazën finale të Kampionatit Europian. “Unë kam në mendje pesë emrat që do të gjuajnë penalltitë”, -tha ai.
Trajneri i Rusisë nga ana tjetër do të hedhë në fushë të njëjtin formacion që mundi 2-0 Suedinë në ndeshjen e fundit në grup. Ajo fitore u frymëzua nga Andrei Arshavin. Fantazisti i Zenit St.Petësburgut ishte pezulluar për dy ndeshjet e parë në grup: në humbjen 4-1 me Spanjën dhe në fitoren e ngushtë 1-0 kundër Greqisë. Kampionati Europian e nisën tre trajnerë holandeze, por vetëm dy prej tyre mbijetuan nga faza e grupeve: Marko van Basten me Holandën e Gus Hidink me Rusinë. Trajneri i tretë i shkollës “portokalli”, Leo Benhaker dështoi me Poloninë. Shorti në çerekfinale vendosi Van Bastenin kundër Hidinkut, teksa e sigurt është që në gjysmëfinale do të jetë një teknik “tulipan”.
Gus Hidink, një trajner që vazhdon të bëjë mrekulli me ekipe të ashtuquajtura “outsider”, si Korea e Jugut (Kupa e Botës 2002), Australinë (Kupa e Botës 2006) e Rusinë (Euro 2008), e vlerësoi si një ndeshje speciale ballafaqimin me skuadrën e atdheut të tij. “Do të jetë spektakolare”, - tha ai. “Unë ndihem shumë krenar për ekipin dhe progresin që ne kemi bërë”, - theksoi Hidink pas eliminimit të Suedisë së Zlatan Ibrahimoviçit.
Por si mund ta ndjejë veten një trajner holandez në prag të ndeshjes kundër Holandës? “Unë i njoh shumë mirë lojtarët, njoh trajnerin (Marko van Basten). Me shumë nga njerëzit e stafit unë kam punuar para shtatë vjetësh (Gus ka drejtuar Holandën në Botërorin 1998). Ne luajmë si ata një futboll të bukur dhe kjo do ta bëjë ndeshjen më spektakolare”.
“Unë nuk mendoj se ne kishim nevoj të shënonim shumë gola në ndeshjen kundër Suedisë”, - tha Arshavin. “Ne kishim nevojë t’i ruanim ato në ndeshjen e ardhshme dhe unë shpresoj se ne do të shënojmë kundër Holandës. Nëse nuk do të luanin kundër Holandës, ne do të ndiheshim më mirë, pasi unë mendoj se ata janë ekipi më i mirë. Por fakti që ne do të luajmë kundër ekipit më të fuqishëm të turneut në çerekfinale, na bëjmë të shpresojmë se në do të jemi të aftë për të luajtur si të barabartë”. Paraqitja e Rusisë në fitoren kundër Suedisë i bëri të besojë shumë vëzhguesve të parashikojnë një përmbysje të mundshme kundër holandezëve, edhe pse Holanda ka marrë 100 për qind të pikëve. Ndeshja është shumë eksituese pasi trajneri i Rusisë, holandezi Gus Hidink udhëhoqi Holandën në gjysmëfinalet e Kupës së Botës në vitin 1998.
Hidink, i cili do të përfitojë një bonus prej 400 mijë sterlinash për kalimin e Rusisë në tetë më të mirat e Europës, shpreson se nëse Rusia do të marrë hap për atë humbje me Holandën në finalet e Euro 1988. Holanda është ekipi më në formë në Kampionatin Europian, duke mundur kampionët e Botës, Italinë (3-0) dhe finalistët e Botërorit të Gjermanisë, Francën (4-1). Formacioni i dytë holandez fitoi me Rumaninë 2-0.

Kokë më kokë
Holanda ka fituar katër nga tetë ballafaqimet e mëparshme. Rusia ka fituar dy herë dhe dy ndeshje janë mbyllur në barazim. Vetëm tre ndeshje janë luajtur në finalet e Kampionateve Europiane. Në vitin 1988, Bashkimi Sovjetik mundi 1-0 Holandën në ndeshjen hapëse, por humbi në finale me rezultatin 2-0. Në vitin 1992, kur Rusia morri pjesë si shtet më vete pas shpërbërjes së Bashkimit të Republikave Sovjetike, ndeshja kundër Holandës përfundoi në barazim 0-0.

Goli i Van Bastenit

Trajneri aktual i Holandës, Marko van Basten ka luajtur në të trija këto ndeshje. Goli i tij i vetëm është konsideruar si ndër më të bukurit në botë, kur ai shënoi në formë volej në finalen e vitit 1998, në atë fitore 2-0, që i dha Holandës edhe kampionatin e parë e të vetëm të fituar.

Takimi i fundit

Ndeshja e fundit midis dy vendeve është një ndeshje miqësore e zhvilluar në shkurt të vitit 2007, e përfunduar me fitoren e thellë të Holandës me rezultatin 4-1.

Fakte
Holanda
* Holanda ka kaluar për herë të gjashtë rresht në fazën me eliminim direkt në finalet e një Kampionati Europian, çka është edhe një rekord për këtë kompeticion.
* Në fazën çerekfinale Holanda ka dështuar vetëm njëherë: në vitin 1996, kur trajneri ishte Gus Hidink, duke u eliminuar nga gjuajtjet e penalltive nga Franca: 5-4.
* Pasi ka mundur Italinë e Francën në Grupin C, Holanda tani pretendon t’i heqë skalpin një tjetër skuadre ish-kampione të kontinentit, duke mundur Rusinë.
* Shtatë lojtarët të ndryshëm holandezë kanë shënuar në Euro 2008, çka barazon rekordin për më shumë golashënues të ndryshëm të një ekipi në historinë e kampionateve europiane.
* Holanda ka shënuar deri tani nëntë gola ose pesë më pak se rekordi i vendosur nga Franca në vitin 1984. Diferenca +8 gola është më e larta e vendosur nga një ekip në fazën e grupeve në historinë e turneut. Është vendi më diferencën më të mirë të golave në fazën e grupeve në finalet e një Kampionati Europian.
* Van Basten deri tani ka fituar 35 nga 51 ndeshjet e tij në drejtimin e Holandës. Ai ka nevojë edhe për dy fitore të tjera për të barazuar rekordin e Bob Glendenning me 37 fitore si trajneri i Holandës.
* Holanda ka marrë vetëm dy kartonë të verdhë në këtë turne, më pak se çdo ekip tjetër.

Rusia

* E mbijetuar në fazën e grupeve për herë të parë që nga viti 1988, qysh kur ajo morri pjesë si Bashkimi Sovjetik, ku përfundoi në vendin e dytë pas Holandës.
* Rusia do të përpiqet të bëhet kombi i dytë që mund të fitojë këtë kampionat, edhe pse ka humbur ndeshjen hapëse, duke ndjekur gjurmët e Holandës në vitin 1988.
* Trajneri Gus Hidink mban tani 100 % të rekordit në progresin në turnetë e mëdha (dy kampionate europiane, 3 Kupa Bote). I vetmi rast kur ai është eliminuar në çerekfinalet e Kampionateve Europiane është ai i vitit 1996, kur u eliminua nga Franca.
* Hidink është përballur me vendin e tij të lindjes dy herë më përpara në rolin e trajnerit, dhe të dyja në ndeshje miqësore. Në qershor të vitit 2006, Holanda barazoi 1-1 me Australinë e udhëhequr nga Gus Hidinku. Në shkurt të vitit 2007, ai vuajti jo pak nga humbja 4-1 në miqësoren kundër Holandës, por kësaj radhe Hidink drejtonte Rusinë.

Van der Sar

Edvin van der Sar duket se do të luajë ndeshjen e tij të 16-të në Kampionatet Europiane, duke barazuar rekordin e të gjitha kohërave të vendosur nga francezi Lilian Turam në këtë turne.

Kampi rus

* Roman Pavliçenko ka realizuar 18 goditje në portë (nëntë ën kuadrat, nëntë jashtë tij), më shumë se çdo lojtar tjetër në fazën e grupeve.
* Igor Akinfev është portieri që ka realizuar më shumë pritje (21) pas raundi të parë të ndeshjeve.
* Nëse do të zgjidhet nga trajneri për ndeshjen kundër Holandës, Roman Adamov do të luajë në ditën e 26-vjetorit të tij.
* Sergei Semak do të regjistrojë ndeshjen e tij të 50-të për Rusinë, nëse ai do të hidhet në fushë. Ai e ka bërë debutimin e tij në humbjen 1-0 kundër Italisë, më 15 nëntor 1997.

Alarm për sulm terrorist në Euro 2008

Zyrtarë amerikanë e europianë të sigurisë pohuan për rrjetin televiziv amerikan “ABC” se kishin rënë në gjurmë të informacioneve për një sulm të mundshëm terrorist në Austri ose Zvicër gjatë zhvillimit të Kampionatit Europian. Sipas katër agjencive të sigurimit çështje është vërtet shqetësuese, pasi bëhej fjalë për një sulm të Al Kaedës në Euro 2008, të udhëhequr nga terroristë algjerianë. 16 ekipe kombëtare marrin pjesë në kampionatin Europian, ndërsa për të ruajtur rendin e sigurinë e aktivitetit janë përfshirë një numër i konsiderueshëm agjentësh specialë nga vende të ndryshme. Më shumë se pesë milionë fansa pritet të ndjekin finalet e Euro 2008-s që përfundojnë, më 29 qershor 2009. Sipas mediave europiane vetëm diçka më shumë se një milion mund t’i ndjekin ndeshjet në stadiume, ndërsa më shumë se katër milionë do t’i ndjekin ekipet e tyre favorite në zonat publike. “ABC Neës” jep edhe disa fakte nga e kaluara. Dy arrestime u kryen para disa javësh në Angli dhe dokumentet e kapura dukej se kishin të bënin me çështjen në fjalë, pavarësisht se zyrtarët nuk e provuan këtë. Gjatë vitit 2004 në Portugali u arrestuan tre anëtarë të grupit holandez “Hofstad”, duke u deportuar. Për ata u fol se kishin në plan të vrisnin kryeministrin e Portugalisë, por asgjë nuk u provua më pas dhe çështja pushoi. Në Gjermani, dy persona u arrestuan në një tren, në korrik të vitit 2006 për posedimin e bombave, të cilat dështuan të shpërthenin. Forcat e sigurimit gjerman e klasifikuan çështjen se të arrestuarit kishin si objektiv Kampionatin Botëror në Gjermani.

21 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›