E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Zgjedhjet në rrezik, urgjent hartimi i Kodit të ri Zgjedhor



Partia Socialiste propozon krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar, i cili do t’i japë dorën e fundit hartimit të Kodit të ri Zgjedhor. Propozimi i selisë rozë është bërë dje nga ana e kryetares së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, e cila tha se hartimi sa më i shpejtë i Kodit të ri Zgjedhor do të shmangte vonesat që rrezikonin realizimin e reformës zgjedhore. “Ne jemi të gatshëm për të punuar me të gjithë faktorët. Grupi i ekspertëve pranë PS-së ka kohë që ka nisur punën.
Ne propozojmë që brenda javës së ardhshme të ngrihet komisioni për ndryshimet në Kodin Zgjedhor me përfaqësues të partive politike parlamentare për t’i dhënë udhë procesit. Natyrisht, reforma zgjedhore nuk mund të quhet e plotësuar vetëm me ndryshimet kushtetuese, qoftë edhe ato të Kodit Zgjedhor.
Për ne reforma zgjedhore është e plotësuar kur garanton një proces të ndershëm e transparent, që garanton të drejtën e votuesve jo vetëm për votimin, por edhe leximin e ndershëm të votës”, - tha Leskaj. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste shprehu shqetësimin për vonesat që kanë të bëjnë me procesin e reformës zgjedhore. Leskaj theksoi se Komisioni Parlamentar për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor duhet të përfundojë punën e tij brenda këtij sesioni, pasi vonesat do të ishin të dëmshme ndaj procesit zgjedhor në Shqipëri. “Ne mendojmë se jemi në limitet e fundit kohore për të përmbushur ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndryshime që derivojnë nga ndryshimet në Kushtetutë, nga nevoja për të kompletuar reformën zgjedhore.
Ka mbetur afërsisht një muaj deri në mbylljen e këtij sesioni dhe lënia e këtij procesi për në shtator do të ishte një pengesë për përgatitjen normale të zgjedhjeve”, - tha Leskaj.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste vuri theksin gjithashtu edhe në rëndësinë e pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti dhe hartimin e regjistrit të zgjedhësve. Sipas saj, zgjedhjet janë në rrezik në rast se nuk realizohen këto dy elemente të rëndësishme. “Zgjedhjet rrezikohen nëse nuk përfundojnë në kohë regjistri i votuesve dhe kartat e identitetit.
Ne jemi seriozisht të shqetësuar për çështjen e kartave të identitetit, pasi vonesa e deritanishme nuk garanton prodhimin dhe shpërndarjen e tyre në kohë përpara zgjedhjeve.
Qeveria duhet të japë garanci duke bërë publike afatet, përfshirë edhe shpërndarjen e kartave të identitetit”, - u shpreh Leskaj.
Sh. Sulçe

23 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›