E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa, shansi i fundit për Gramozin

Nga Kristi Lilo

Kolonjarët presin sot kavajasit në ndeshjen e prapambetur, ku vetëm fitorja u bën punë për të mbijetuar në kategorinë e parë

Vetëm dy ditë kanë pasur në dispozicion futbollistët kolonjarë pas  humbjes së pamerituar me Elbasanin, pasi sot do të presin Besën, me të cilën do të luajnë ndeshjen e prapambetur nga java e 16-të. Morali ka rënë pas humbjes së fundit, por ekipi kolonjar është i detyruar të luftojë fort në finalen e sotme, që të qëndrojë në kategorinë e parë. Gramozit po i mungon fitorja në fazën e dytë, ndërkohë që shqetësimi i vetëm mbetet gjykimi, duke gjykuar nga ndeshja e fundit.

Në aspektin e përgatitjes, çdo gjë ka shkuar më së miri. Trajneri Qirjako dhe ndihmësi i tij Hitaj janë munduar ti motivojnë futbollistët për ndeshjen e sotme, ku do të kenë edhe mungesa, ku veçohet sulmuesi Hysolli, i cili është i skualifikuar. Trajneri kolonjar duhet të ndërtojë një formacion të ri, në krahasim me atë të ndeshjes së fundit.

Ai duhet të gjejë zëvendësuesit e tre futbollistëve që u paraqitën dobët me Elbasanin, ku bën pjesë edhe braziliani Perero, që mendohet të zëvendësohet nga mesfushori korçar Arapi. Me Besën duhet të luajmë sa më mirë dhe për këtë u kam kërkuar futbollistëve një mobilizim sa më të madh për ta mbyllur me sukses, tha shkurt trajneri Qirjako, i cili e ka testuar për pak minuta grupin, me të cilin do të luajë sot.

U pa qartë se mesfushorët Musabelliu dhe Çela do ta fillojnë ndeshjen titullarë, pasi të shtunën që shkoi luajtën shumë mirë. Përveç golave shumë të bukur, loja e Gramozit ishte në rritje, krahasuar me ndeshjet e tjera. Në fund të seancës së djeshme, trajneri kolonjar u ndal për të dhënë udhëzimet e fundit, ku përparësi iu dha goditjeve standarde.

Formacioni i mundshëm për ndeshjen e sotme është: Bello, Caka, Peci, Lamaj, Ismolli, Mydini, Çela, Shupe, Arapi, Musabelliu dhe Saliko.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›