E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tek Elbasani nuk ka më krizë transfertash

Nga Elton Karaj

Verdheblutë kanë marrë 6 pikë në dy ndeshjet jashtë të fazës së dytë dhe e presin sfidën me kryesuesit me shumë besim

Fitorja në Ersekë ka kthyer humorin në kampin elbasanas dhe futbollistët duken në top-formë pas asaj transferte delikate. Tri pikët e marra në fushën e Gramozit e kanë rifutur Elbasanin në korsinë e superligës, pasi java e 19-të ka qenë me fat për këtë skuadër, që përfitoi nga hapat e gabuara të Besëlidhjes dhe Kukësit. Verdheblutë kanë konfirmuar faktin se janë në gjendje të fitojnë edhe jashtë fushe, gjë që e kanë bërë në dy të tilla për fazën e dytë, duke marrë 6 pikë, pas sukseseve në Gramsh dhe Ersekë.

Këta tregues i bëjnë të gjithë të besojnë se Elbasani e ka lënë pas krizën e rezultateve jashtë fushe dhe me këtë ritëm ka shumë shanse që ta mbyllë në kampionatin në 5-shen e parë. Të shtunën, skuadrën verdheblu e pret një ndeshje tejet e vështirë, ajo me Luftëtarin kryesues, që sot përplaset me Kukësin pretendent.

Fundjava do të jetë vendimtare, pasi edhe barazimi do të ishte dështim dhe do të shkatërronte gjithçka që është bërë 4 javët e para të fazës së dytë. Stafi teknik dhe futbollistët e kanë arkivuar fitoren e Ersekës dhe po punojnë me gjithë mundësitë e tyre për sfidën me gjirokastritët. Stafi drejtues ka theksuar se Elbasani i merr ndeshjet një nga një, duke synuar tripikëshin në secilën prej tyre.

Ndeshja e kësaj jave, nisur edhe nga emri i kundërshtarit, është vlerësuar në çdo drejtim dhe pritet që Elbasani ti rikthehet fitores në stadiumin Ruzhdi Bizhuta. Gjërat në kampin verdheblu po shkojnë mirë dhe kjo situatë e bën më optimiste atmosferën para ndeshjes me Luftëtarin.

Gjithçka është në harmoni të plotë dhe duket se po kthehet ai Elbasan që dëshironin të gjithë tifozët e tij. Edhe pse ndeshja e së shtunës është nga më të vështirat për këtë kampionat, në radhët e futbollistëve është krijuar bindja se do ta fitojnë dhe do të vazhdojnë rrugën drejt superligës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›