Bime: E mirëpresim Kukësin, Luftëtari di si të fitojë
Presidenti ekipit kryesues, Flamur Bime, pasi ka karikuar futbollistët, ka theksuar se kuksianët do të priten si rivalë dhe jo si armiq
Dje, rreth orës 10:00, në zyrën e klubit Luftëtari në stadiumin Gjirokastra, për gjysmë ore kryebashkiaku i qytetit dhe presidenti i ekipit, Flamur Bime, zhvilloi një takim me stafin dhe lojtarët. I pranishëm ishte edhe Devolli, i cili, për shkak të kartonit të kuq dhe 3 të verdhave, nuk do të luajë me Kukësin dhe Elbasanin, kështu që shiriti i kapitenit mund të kalojë te krahu i Norës.
Biseda nisi me batuta humoristike, ku presidenti Bime iu drejtua pothuajse të gjithë futbollistëve në emër. Ai u përqendrua te penalltia e humbur nga Nora dhe te goli i tij në ndeshjen me Besëlidhjen, situatat që u krijuan, qëndrimin e Devollit në lojë, që, sipas tij, duhej të ishte ndryshe. Më pas tha se ndeshja me Kukësin është e rëndësishme dhe do të jetë vetëm me luftë sportive. E kemi rival dhe jo armik Kukësin, ndaj duhet të tregojmë qytetarinë gjirokastrite, – theksoi kryebashkiaku Bime.
Duke iu drejtuar në vazhdim futbollistëve, ai u shpreh se nuk duhet të bien pre e provokimeve, të shmangin emocionet dhe të mbajnë përgjegjësinë e fanellës së Luftëtarit. Theksoj se ekipi mbahet nga taksat e qytetarëve gjirokastritë, ndaj iu duhet bërë shpërblimi, duke respektuar edhe kodin e futbollistit. U morën 5 kartonë në ndeshjen me Besëlidhjen, ndaj duhet pasur shumë kujdes.
Me mungesën e Devollit dhe Stojës, angazhimi i atyre që do të luajnë duhet të jetë i jashtëzakonshëm. Duhet manifestuar shpirti i mrekullushëm i gjirokastritëve dhe shkodranëve, si dhe gjithë të tjerëve, që përbëjnë ekipin tonë këtë sezon. Strategjia jonë do të jetë qetësia, cilësia e lartë e lojës dhe asnjë acarim me gjyqtarët. E kisha merak tju takoja dhe pas Kukësit do të fitoni edhe në Elbasan,- ka përfunduar presidenti Bime.
Treguesit Nën drejtimin e trajnerit Nevil Dede, Luftëtari ka realizuar 3 fitore, 1 barazim, me golaverazhin 6-1. Sot luan ndeshjen e 5-të, që nuk është e radhës, por e prapambetur nga java e 14-të. Kukësi vjen pas barazimit 2-2 me Ilirinë, që i kushtoi vendin e 2-të. Është një ndeshje, që zhvillohet pas 80 ditësh, aq sa i janë dashur Zhyl Vernit për ti rënë përqark botës, që për Luftëtarin është një rekord, ndoshta edhe më gjerë.
Është e qartë se Luftëtari më 24 dhjetor kishte tjetër përbërje në staf dhe lojtarë, gjë që qëndron edhe për Kukësin, sepse fjala vjen nuk ka tashmë Ivanajn, që shënonte gola. Po të luhej ndeshja para fillimit të fazës së dytë, që do të ishte gjëja më normale, Luftëtarit nuk do ti mungonte kapiteni Devolli e të tjera. Trajneri Dede tha gjatë takimit me presidentin Bime se mund të aktivizojë edhe mesfushorin e ri Romario Biraçi. Edhe presidenti i ekipit gjirokastrit tha se dëshiron që të rinjtë të gjejnë sa më shumë hapësira, sepse kjo i shërben perspektivës.
Dede Për ndeshjen e sotme, trajneri Dede tha: Është ndeshje e prapambetur dhe në lojë janë 3 pikë. E rëndësishme është që do të luftojmë për maksimumin. E respektojmë Kukësin dhe do ta mirëpresim në fushën tonë, në kushte optimale, për të kënaqur tifozët, që shpresoj se do të jenë më shumë se në ndeshjen me Besëlidhjen, për ta inkurajuar ekipin e zemrës, përfundoi presidenti Bime.
