E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besëlidhja nuk kursehet aspak, 7 gola Gramozit

Nga Lezha, Lekë Miraj

Lezhjanët kanë shpërdoruar edhe shumë raste. Ata synojnë të fitojnë çdo ndeshje për të zënë një pozicion sa më të favorshëm në fund

Besëlidhja – Gramozi  7-0

Shënues: Stojkoviç 21, Dibra 28, Kaçi 37, 90, Xhorxheviç 62, Gruda 70, Miliç 75

Besëlidhja: Xhika, Peqini, Kepi (Noka 46), Danaj, Stojkoviç, Trajkoviç, Pepaj (Jaçaj 63), Dibra, Miliç, Kaçi, Xhorxheviç (Gruda 63).  Trajner: R.Kulli.

Gramozi: Bello, Ismolli, Peçi, Mydini (Çelikja 63), Mete, Shupe Saliko, Cale (Kodra 46), Musabelliu, Çela (Er.Mydini 60), Hysolli.                           Trajner: I.Qirjako.

Gjyqtarë: H.Llapra, R.Malaj, E.Rrapi (Vlorë)

Kartonë të verdhë: Danaj, Stojkoviç, Miliç, Bello, Peçi, Mete, Saliko

Ka qenë një ndeshje e dominuar në çdo drejtim nga futbollistët e Besëlidhjes, të cilët kanë shënuar plot shtatë gola, por edhe kanë shpërdoruar shumë raste të pastra, madje edhe me portë të boshatisur. Ka qenë qendërmbrojtësi Stojkoviç, i cili ka çelur serinë e golave në minutën e 21-të, kur ka goditur saktë topin e ardhur nga një këndore. Pastaj kanë shënuar Dibra dhe Kaçi për ta mbyllur pjesen e parë 3-0.

Miqtë nga Erseka janë shfaqur tepër të lodhur dhe me një përbërje të re, ndaj dhe e kanë pasur tepër të vështirë ta përballojnë Besëlidhjen e motivuar për tu ngjitur sa më lart në klasifikim, sepse objektivi është për tu përballur me një ekip të klasifikuar sa më poshtë nga superliga.

Dhe në pjesën e dytë lezhjanët vazhdojnë të bëjnë një lojë tërësisht sulmuese, duke shënuar edhe 4 gola të tjerë, por kanë shpërdoruar edhe shumë raste të pastra, siç ishin ato të Xhorxheviçit në të 68-ën, Miliçit në të 72-tën e 85-ën, kur me portë të boshatisur apo të vetëm përballë portierit mik, nuk kanë arritur të shënojnë.

Djemët e trajnerit Qirjako, megjithëse të lodhur fizikisht, janë përpjekur ta përballojnë Besëlidhjen me një lojë të thjeshtë, duke synuar ta qarkullojnë topin, madje shpesh edhe ti afrohen portës vendëse, por pa arritur të shenojnë qoftë dhe golin e nderit.

Ndërsa futbollistët lezhjanë kanë luajtur siç u ka dashur qejfi, duke e mbajtur nën presion gjatë gjithë lojës kundërshtarin. Trajneri Kulli është shprehur i kënaqur nga loja dhe rezultati, por më tepër mendon për ndeshjen e radhës në Velipojë, pasi synimi është për ta ngjitur sa më lart Besëlidhjen, pa menduar asnjëherë për atë që bëjnë kundërshtarër, por për ti fituar të gjitha ndeshjet e mbetura të kampionatit me objektivin e vetëm që Besëlidhja të ngjitet në superligë.

Trajnerë

Ritvan Kulli, trajner i Besëlidhjes: E merituam plotësisht fitoren përballë një kundërshtari me shumë mungesa në përbërje, por që u përpoq të tregojë vlerat më të mira të tij. Kjo fitore dhe ajo e arritur para tri ditësh në Gramsh e kanë ngritur moralisht ekipin për të synuar ngjitjen sa më lart në klasifikim.

Ilir Qirjako, trajner i Gramozit: Ishte një humbje, që nuk e justifikon lojën e ekipit tonë. Ekipi ishte i lodhur, pasi kemi zhvilluar tri ndeshje për një javë dhe kemi bërë shumë rrugë, që ka ndikuar shumë në gjendjen fizike. Besëlidhjes i uroj suksese.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›