E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Lushnja, Julian Kasapi

Ndryshe nga ndeshjet e mëparshme, verdhejeshilët kanë vuajtur këtë radhë në Roza Haxhiu, por në fund kanë marrë 3 pikët

Lushnja Iliria       2-0

Shënues: Xhafa 48, Canka 83

Lushnja: Bejte, Xhafa, Hasalla, M.Sula (Allkanjari 32), E.Sula, Topi, Ruço (Gjyla 54), Dervishi (Gjoni 10), Çela, Sefa, Canka.

Trajner: S.Malko.

Iliria: Sejdini, Shkëmbi, Lusha, Shehu, Doçi, Ujka, Bejko (Basha 79), Gjonpalaj, Gjokeja, Caca (Balluku 86), Mitre (Bardhi 68).

Trajner: A.Deliu.

Gjyqtarë: A.Koçi, F.Elezi, E.Velo (Durrës)

Katronë të verdhë: Xhafa, Bejko, Gjokeja

Skuadra e drejtuar nga trajneri Saimir Malko ka shënuar dy herë në portën e Ilirisë dhe ka marrë pikët e plota në javën e 26-të, duke mbetur në të njëjtat pozita në tabelë. Por këtë radhë Lushnja ka  vuajtur jo pak. Ndryshe nga ndeshja me Besën në Kavajë, në shtëpi lushnjarët nuk janë shfaqur në nivelin që pritej.

Në praninë e rreth 4 mijë tifozëve, me spektakël banderolash dhe brohoritjesh, lojtarët e Lushnjës janë dukur të plogësht në këtë 90-minutësh, edhe pse detyrën e kanë bërë. Thuajse gjatë gjithë pjesës së parë vendësit nuk kanë bërë aksione të rrjedhshme, duke gabuar në kontrollin e topit dhe duke humbur shumë duele me miqtë.

Këta të fundit janë mbrojtur me shumë forca dhe kanë kundërsulmuar, por pa rezultat, sepse mbrojtja lushnjare ka treguar nivelin e duhur. Mund të numërohen me gishtat e njërës dorë sulmet e Lushnjës, por, duke nisur nga minuta e 32-të, trajneri Malko ka ndërruar skemën e lojës.

Nga 4-4-2, Lushnja ka luajtur me tre mbrojtës, katër mesfushorë, ndërsa kapiteni Çela ka kaluar pas dyshes sulmuese Canka-Sefa. Këta të fundit kanë pasur raste, por pa shkuar deri në finalizim. Ajo që nuk ndodhi në pjesën e parë, erdhi sapo nisi e dyta. Pas një goditjeje standarde, harkon Çela, gjuan fort në zonë Canka, grushton portieri Sejdini, topi shkon tek Allkanjari, që shërben për Xhafën, i cili gjuan fort dhe e dërgon topin në rrjetë.

Kaq mjafton për lushnjarët, që luajnë me aksione të qarta, por është i pafat Sefa, i cili gjuan bukur me kokë dhe Shehu e heq topin në vijën fatale. Edhe Gjoni nuk ka shënjestër e as Canka, që godasin mbi traversë.  Pas minutës së 70-të gjithçka flet për miqtë, që kërkojnë penallti pas rrëzimit të Bardhit në zonë, por nuk mendon kështu gjyqtari Koçi. Atëherë kur nuk pritej dhe miqtë kërkonin golin e barazimit, ndëshkon i përhershmi Canka.

Një gol me shumë intuitë i Cankës, që e gjuan traversën dhe më pas e dërgon topin në rrjetë. Nuk ka kohë për skuadrën e Ilirisë, që humbet në këtë ndeshje, ndërsa lushnjarët marrin 3 pikë me vuajtje, ndryshe nga rivalët e tyre, që e kanë pasur çdo gjë të lehtë. Në stadiumin Roza Haxhiu luhet gjithmonë ndershëm dhe për të fituar duhet të djersitësh e të lodhesh!!!

Trajnerët 

Saimir Malko, trajner i Lushnjës: Jam i kënaqur vetëm me 3-pikëshin, sepse loja e skuadrës la shumë për të dëshiruar dhe kjo për faktin se lojtarët janë të lodhur.

Afrim Deliu, trajner i Ilirisë: Lushnja e meritoi fitoren, sepse luajti për të fituar. Ne bëmë tonën, por nuk mundëm. Lushnja është një skuadër që e meriton superligën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›