Besimtarët bektashinj festojnë sot Hashuren
Sot Bektashinjtë festojnë Hashuren. Festa e hashures është dita e dhjetë dhe e fundit e kalvarit të nipit të dytë të Muhamedit (S.A), imamit të shenjtë Hysen dhe të gjithë pasardhësve të Ehli Beitit dhe miqve dhe bashkëpuntorëve të tyre më besnike në shkretëtirën përvëluese të Qerbelasë.
Ajo është dita kur të gjithë vuajtjet e tyre të jashtëzakonshme kulmuan me sakrificën dhe martirizimin e tyre, dita kur u realizua profecia për çmimin që duhet të paguante Ehli Beiti i Shenjtë për të shpëtuar fjalën e vërtetë të Zotit dhe islamin nga të gjitha llojet e korruptimit dhe shtrembërimet që përpiqen të imponojnë interesat djallëzore të çdo kohe e brezi.
Kjo ngjarje e dhimbshme ishte paracaktuar në rrugë hyjnore në Dhjatën e Vjetër dhe ka të bëjë pikërisht me kurbanin që duhej sakrifikuar në vend të Ismailit me anë të cilit Zoti vuri në provë vërtetësinë e profetit Ibrahim disa mijëra vjet përpara se të ndodhte masakra e Qerbelasë. Ajo ishte paracaktuar në rrugë hyjnore edhe në Kuranin e shenjtë, me emrin "Zibhe-Azeem" që do të thotë (''Sakrifica më e madhe") si dhe në thënie të shumta të profetit të shenjtë.(atsh)