Dobjani: "Tirana rrezikon shpërthimin nga karburantet
TIRANË – Tirana rrezikohet çdo ditë nga shpërthimet e mundshme në pikat e karburanteve apo bombolave të gazit. Në këtë mënyrë njerëzit janë të rrezikuar nga një Gërdec i dytë që mund të ndodhë në qendrat e banimit të tyre. Këto konstatime i ka bërë institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka arritur në përfundimin se në territorin e Tiranës janë rreth 50 qendra tregtimi nafte, gazi dhe nënprodukteve të tyre, të cilat veçohen si objekte problematike dhe që ushtrojnë aktivitet me burim rreziku të madh.
Shumë prej tyre janë të ndërtuara afër banesave dhe kryesisht bombolat e gazit shiten në katet e para të pallateve. Avokati i Popullit është hasur me fenomene si mbushja e bombolave me gaz në katet e para të shtëpive apo në dyqanet ushqimore ku tregtohen bombola gazi 14 – 15 litra për konsum familjar. Kjo e shton edhe më tepër rrezikun për një shpërthim të mundshëm dhe me pasoja të rënda. Aktivitete të tilla janë problem për një kategori të madhe njerëzish, jo vetëm në Tiranë por në të gjitha rrethet e Shqipërisë, ku rrezikohet ndjeshëm jeta e çdo qytetari të thjeshtë. Duke konstatuar këto fakte mjaft të rënda dhe me një rrezikshmëri të lartë, Avokati i Popullit, kërkon rritjen e shkallës së përgjegjësisë së organeve të pushtetit në të gjitha nivelet për marrjen e masave të rritjes së shkallës së sigurisë. Ky institucion ka konstatuar se duhen marrë masa të rrepta administrative ndaj kundravajtësve dhe në rastet kur formojnë vepër penale, denoncimin e tyre në organet e ndjekjes penale ndaj subjekteve që cenojnë sigurinë e jetës së shtetasve. Këto probleme janëkonstatuar në qytetin e Tiranës por edhe në komunat përreth saj. Në Tiranë shihet se problematika është evidente pothuajse në të njëmbëdhjeta njësitë bashkiake. Ndërsa si më problematiket gjendja paraqitet edhe në komunat e Dajtit, Kashar, Ndroq, Paskuqan, Baldushk, Prezë dhe Petrelë ku pikat e karburantit dhe tregtimi i gazit është pothuajse jashtë çdo standardi. Gjithashtu problematike paraqitet gjendja edhe në Kavajë dhe Vorë. Një shqetësim i tillë i është paraqitur nga Avokati i Popullit, Inspektoratit Qendror Teknik, i cili pas verifikimeve të bëra ka arritur në konkluzionin se shkak i kësaj problematike janë bërë ndërtimi pa leje i shtëpive pranë karburanteve. “Megjithëse të gjitha instancat vendore janë vënë në dijeni për këtë problem, çështja kërkon ndërhyrje nga nivele më të larta të administratës”,- thuhet në përgjigjen që ka kthyer Inspektorati Qendror Teknik, organ pranë Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës. Por pavarësisht lojërave të hedhjes së përgjegjësisë nga njëri organ në tjetrin, shihet qartë se rreziku për përballimin e kësaj vështirësie i mbetet si gjithmonë qytetarit të thjeshtë, të cilit i rrezikohet çdo ditë e më shumë jeta.