E Hënë, 2 Nëntor 2026

Besimtarët bektashinj festojnë sot Sulltan Nevruzin, uron politika: Begati e mirësi në çdo vatër shqiptare

Besimtarët bektashinj festojnë sot ditën e Sulltan Nevruzit, një festë që simbolizon rinovimin e jetës dhe shpresë për një vit të mbushur me paqe, harmoni dhe begati. Kjo festë lidhet me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe dhe simbolizon ringjalljen për gjithë njerëzimin për një të ardhme më të mirë.

Urimet në këtë ditë të shënuar për bektashinjtë nuk kanë munguar as nga potlika.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar besimtarët bektashinj për festën e shenjtë të Sulltan Nevruzit. Ai ka shprehur urimet e tij për një vit të mbushur me begati dhe mirësi, duke theksuar se kjo ditë e shenjtë sjell lumturi dhe gëzim në çdo familje shqiptare.

“Gëzuar Sulltan Nevruzin, të dashur besimtarë bektashinj! Kjo ditë e shenjtë, që vjen së bashku me pranverën, sjelltë begati e mirësi në çdo vatër tuajën dhe të çdo shqiptari!, shkruan presidenti Begaj në urimin e tij.

Edhe kryeministri Rama uron “për të gjithë besimtarët bektashinj, Gëzuar Ditën e Sulltan Nevruzit”

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vizitoi Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku i shprehu urimet e saj Kryegjyshit Botëror, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.

Spiropali theksoi se Sulltan Nevruzi, një festë që shënon reflektim për dashurinë, tolerancën dhe dritën që duhet të mbizotërojnë në jetët tona.

“Sulltan Nevruzi, kjo ditë e hareshme që shënon fillimin e pranverës dhe rigjallërimin e natyrës, është më tepër sesa një festë e Bektashinjve.  Është një kremtim popullor që sjell gëzim në familjet e të gjithëve, një reflektim që drita, dashuria dhe toleranca të përshkojë jetët tona. Gëzuar!”, tha Spiropali.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka uruar besimtarët bektashinj për Ditën e Novruzit.

“Gëzuar Ditën e Sulltan Novruzit të gjithë besimtarëve të Komunitetit Bektashian! Sjelltë kjo ditë e shenjtë më shumë dashuri, mirësi e harmoni në mendjet, zemrat dhe shtëpitë tuaja”, shkruan Veliaj.

Pjesë e urimeve ishte edhe Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Joan Pelushi, i cili vizitoi Kryegjyshatën Botërorë të Bektashinjve.

“Si gjithmonë në të gjitha gëzimet jemi së bashku. Erdha për ti uruar vëllezërve tanë gëzuar dhe për shumë vjet ditën e Sulltan Novruzit” tha ai

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta iu bashkua urimit për besimtarët bektashinj.

“Në këtë ditë të bekuar feste dhe optimizmi, që përkon me lindjen e Imam Aliut, uroj përzemërsisht të gjithë  besimtarët bektashianë: Gëzuar Festën e Sulltan Nevruzit! Shëndet, mbarësi dhe begati në çdo familje shqiptare! Pranvera dhe Demokracia, triumfojnë përherë” shkruan Meta.

“Nevruzi” vjen nga persishtja dhe do të thotë “Dita e re”, ndërsa “Sulltan” është titulli i lartë që tregon rëndësinë e kësaj dite. Në Shqipëri Dita e Nevruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.

RadioTelevizioni Shqiptar i uron të gjithë besimtarëve bektashinj “Gëzuar Sulltan Nevruzin!” dhe më shumë dashuri dhe harmoni në çdo familje.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›