E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, pranga nëntë kambistëve ilegalë

FIER- Nëntë persona nga qarku i Fierit janë vënë nën hetim, pasi u kapën në flagrancë nga policia duke ushtruar aktivitet të palicensuar të këmbimit valutor. Burime të policisë së qarkut thanë se "nëntë personat e kapur gjatë një aksioni të ndërmarrë në 24 orët e fundit do të ndiqen në gjendje të lirë, nën akuzën e ushtrimit të aktivitetit në kundërshtim me ligjin Për Bankat në Republikën e Shqipërisë'". Mësohet se nën hetim janë vënë shtetasit, L. Demaj, 45 vjeç, F.Dervishaj, 48 vjeç, N. Cernaj, 50 vjeç, R.Bakiu, 45 vjeç, A.Lamaj, 39 vjeç dhe Z. Murseli, 40 vjeç, të gjithë banues në qytetin e Ballshit. Policia tha se gjatë aksionit, këtyre shtetasve iu sekuestrua një shumë e përgjithshme prej 1.382.100 lekësh dhe 1925 eurosh. Për të njëjtën vepër penale do të ndiqen në gjendje të lirë dhe shtetasit K. Tereziu e G.Qëndro, nga Fieri dhe 42 vjeçari Gj. Duri nga Lushnja. Burimet zyrtare të policisë së qarkut shtuan se "është rritur fryma e bashkëpunimit institucional me strukturat dhe institucionet e tjera shtetërore të kontrollit për goditjen e krimit ekonomiko-financiar (kontrabandës, informalitetit, evazionit fiskal etj) si dhe bashkëpunimi me komunitetin mbi aktivitetet e jashtëligjshme, fenomenin e mitmarrjes apo korrupsionit nga persona dhe zyrtarë të veçantë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›