Besimtarët katolikë festojnë Pashkët, politika uron

Me anë të një fotoje të postuar në Facebook Kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët katolikë të cilët festojnë sot Pashkët.
“Mirëmëngjesi! Gëzuar Pashkët Katolike”, shkruan Rama.
Presidenti Ilir Meta shkruan ne rrjetin social se “festa frymëzuese e Pashkës na fton për të mos harruar sakrificat e Krishtit për ne, për të dëshmuar me vepra shembullin e jetës së Tij, çdo ditë, duke qenë në shërbim dhe me përulësi pranë njerëzve në nevojë dhe për të mbajtur pranë zemrave tona këdo që vuan. Le të shërbejë ky shembull për të gjithë ne” shkruan presidenti.
Urimi për Pashkët vjen edhe nga ish Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në një postim në rrjete sociale Basha uron besimtarët që kjo ditë e shenjtë, simbol i ringjalljes së shpresës, të ndriçojë mendjet dhe forcojë shpirtrat me besimin se do të kapërcejmë sfidat dhe vështirësitë e shtuara në jetët e familjeve shqiptare, për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të begatë.
“Të nderuar besimtarë që kremtoni sot Ringjalljen e Krishtit, ju uroj nga zemra Gëzuar Pashkët!
Kjo ditë e shenjtë, simbol i ringjalljes së shpresës, uroj të ndriçojë mendjet dhe forcojë shpirtrat tuaj me besimin se do të kapërcejmë sfidat dhe vështirësitë e shtuara në jetët e familjeve shqiptare, për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të begatë.
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, shkruan Basha.
Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka uruar besimtarët katolikë për festën e Pashkëve. “Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për shpresën tek e ardhmja që simbolizon kjo ditë e shenjtë”, shprehet Xhaçka.
“Gëzuar Pashkët katolike! Gëzuar këtë ditë, simbol të ringjalljes! Sot më shumë se kurrë, pas dy vitesh të vështira e në një botë të trazuar, kemi nevojë për shpresën tek e ardhmja që simbolizon kjo ditë e shenjtë”, shkruan Xhaçka.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Pashkës.
“Në një ditë të bekuar si kjo, ju uroj pashkë të gëzuar”, shprehet Veliaj.