Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin, uron politika: Një ditë solidariteti dhe harmonie

Besimtarët myslimanë në Shqipëri festojnë Fitër Bajramin, një ditë e shënuar që shënon përfundimin e muajit të Ramazanit, duke sjellë mesazhe të forta solidariteti, paqeje dhe bashkëjetese ndërfetare. Liderët politikë kanë uruar këtë festë të shenjtë dhe kanë theksuar rëndësinë e ruajtjes së harmonisë mes grupeve fetare.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në urimin e tij për besimtarët myslimanë tha se kjo është një ditë solidariteti për të gjithë shqiptarët.
“Gëzuar Fitër Bajramin, qoftë kjo ditë e shënuar, një ditë solidariteti dhe një ditë mirësie për të gjithë shqiptarët. Fjalët e Kuranit dhe të urtit profetit Muhamed le të shërbejnë për çdo shqiptar si shembull frymëzimi në jetën e përditshme. Ti shtrijmë dorën njëri tjetrit, të ndihmojmë të pamundurit dhe të jemi të bashkuar në shërbim të interesit tonë madhor, në shërbim të interesit të harmonisë fetare të dialogut ndër fetar dhe të interesit kombëtar”, tha Begaj.
Nga ana tjetër, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, gjatë urimit të saj në selinë e Komunitetit Mysliman, theksoi se Fitër Bajrami është një ditë që bashkon besimtarët pas muajit të agjërimit dhe sakrificës.
“Sot është një ditë e gëzuar për të gjithë besimtarët myslimanë, dita e Fitër Bajramit. Është një ditë që na bën bashkë pas muajit të agjërimit, të sakrificës dhe të lutjeve. Besimtarët vijnë për pranimin e sakrificave të tyre. Kjo është një ditë që rrezaton përtej komunitetit mysliman dhe uroj të gjithë shqiptarët sepse festat dhe të mirat ne i ndajmë me njëri-tjetrin dhe është një dëshmi e qartë se si toleranca dhe vëllazëria mes komuniteteve fetare është një realitet dhe nuk është një slogan. Dua të uroj dhe përgëzoj Komunitetin Mysliman që rrezaton këtë tolerancë dhe vlerat më të mira të popullit tonë duke nxitur progresin dhe harmoninë dhe jo ndarjen e përçarjen”, u shpreh ajo.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjithashtu uroi besimtarët për këtë festë të shenjtë.
“Gëzuar Fitër Bajramin! Urime të gjithë besimtarëve myslimanë me përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit! Zoti jua pranoftë lutjet dhe shpërbleftë sakrificat tuaja. Qoftë ky Bajram një ditë feste për të gjithë besimtarët mysliman dhe çdo familje shqiptare; qoftë një burim dashurie për të afërmit tuaj, e sjelltë paqe e mirësi për të gjithë ju!”, shkruan ai në Facebook.
Urimin për besimtarët myslimanë e shprehu edhe kreu i PD-së, Sali Berisha pas vizitës në Komunitetin Mysliman Shqiptar. Berisha shtoi se nëse vjen në pushtet do dyfishojmë fondet për komunitetet fetare dhe se ora e faljes së të Premtes do të jetë orar pushimi.
“Erdha për të uruar Fiter Bajramin, kreut të KMSH, bashkëpunëtorëve te tij dhe me këtë rast të gjithë besimtarëve myslimane që kanë agjëruar por edhe të gjithë besimtarëve të zotit. Këtë ditë të nderimit, të përkushtimit, sakrificës së njeriut ndaj të madhit zot, vlerave hyjnore më të mira. Unë garantova dhe kreun e KMSH se falja ditën e premte do të përcaktohet në ligj dhe në orar dhe çdo besimtar mysliman që dëshiron të kryejë detyrën e tij me faljen në xhami do ketë kohën e vënë për këtë destinacion. Pra nuk do mund të bëhet orari zyrtar pengese që njerëzit të falin të premten që është dita për myslimanët dhe kjo është detyrim. Pas 11 majit nga vendimet e para do të jetë dyfishimi i fondit për komunitete fetare. Fond i cili është i domosdoshëm dhe u takon plotësisht”, tha Berisha.
/rtsh.al/