Besimtarët myslimanë festojnë Natën e Kadrit. Nishani shtron iftar
Tiranë- Muaji i Ramazanit është drejt fundit dhe sot besimtarët myslimanë festojnë një nga netët më të rëndësishme në fenë e tyre, atë të Kadrit. Pritet që në të gjithë vendin me mijëra myslimanë tu drejtohen xhamive, për të falur këtë natë mjaft të rëndësishme.
Urime ka pasur edhe nga kryeministri i ardhshëm Edi Rama, i cili nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale shprehet: ”U uroj gëzuar të gjithe muslimanëve natën e plotësimit të Librit të Shenjtë!”
Ndërkohë me rastin emmuajit të Ramazanit sot Presidenti Bujar Nishani ka shtruar iftar, ku kanë marrë pjes7 figura të njohura.
Muaji i Ramazanit është një rit madhështor e kuptimplotë. Në këto ditë besimtarët ngrenë lart sakrificat. Me anë të agjërimit ju tregoni superioritetin e virtytit mbi vesin. Përmes kësaj sfide që bëni, ju bëni atë që më tepër se gjithcka i duhet njerëzimit, dëshmoni dhe forconi besimin tek Zoti,- tha Nishani.
Sa i përket origjinës së kësaj nate, fjala Kadr ka disa kuptime ku njëri prej tyre është dhe nderim ose respektim, sepse ajo është natë e cila nderohet dhe ka një pozitë të veçantë tek Allahu për shkak të karakteristikave të saj. Po kështu dhe personi i cili qëndron zgjuar, duke iu lutur Zotit gjatë kësaj nate, pajiset me një nder të veçantë. Kuptim tjetër i kësaj fjale është se Kadr do të thotë dhe shtrëngim, në kuptimin se dituria e saktë se kur është kjo natë, është e fshehur në dhjetë netët e fundit të Ramazanit siç do ta shohim më poshtë. El-Halil ibën Ahmed, një dijetar i njohur ka thënë: Është quajtur Nata e Kadrit pasi bota shtrëngohet nga numri i madh i melaikeve që zbresin në këtë natë. Gjithashtu Kadr ka dhe kuptimin Kader (paracaktim), se në këtë natë paracaktohet se çfarë do të ndodhë për vitin e ardhshëm (siç do ta shohim më vonë). Në një ajet Kuranor Allahu e quan Natë të Begatshme për mirësitë e shumta që u jepet njerëzve.
Pra sipas ajeteve të cituara Kur’anore, Nata e Kadrit është nata me e vlefshme dhe me e rëndësishme, sepse në të ndodhi zbritja e Kur’anit. Kurani më pas iu zbrit Muhamedit, alejhi selam, për rreth njëzet e tre vite me radhë sipas nevojave njerëzore që dilnin. Për këtë shkak Nata e Kadrit paraqet ngjarjen më të rëndësishme dhe më madhështore në historinë e njerëzimit dhe si e tillë e ndryshojë rrjedhën e saj, sepse Shpallja e Kur’anit në këtë natë madhështore lidhi qiellin me tokën, njeriun me Krijuesin e vet dhe kështu hyri përsëri në histori, në të cilën ai nuk mbeti vetëm objekt pa përmbajtje dhe kuptim, përkundrazi i dha zgjidhje njerëzisë dhe u bë fjalë e gjallë dhe ligji i jetës , sipas të cilit zhvillohet jeta.