Besnikëria nuk kërkohet, as deklarohet
Këto ditë kam lexuar një profil të politikanes Mimi Kodheli, shkruar nga një gazetar austriak në vigjilje të punës së qeverisë së re të pas 23 qershorit, e zgjedhur si Ministre Mbrojtjeje.
Promovimi i vetes nuk ka asgjë të keqe, kush e bën thjesht mundet, por ajo që më bëri për shtypje në atë portret të kësaj politikaneje nuk ishte titulli Gruaja e hekurt që nuk do të jetë, por diçka thelbësore, përveç faktit që ka një djalë 24 vjeç (në fund fare karriera më e mirë e një gruaje është karriera e familjes dhe kjo nuk pranon diskutim fare); fakti që kjo politikane nuk paska një profil të qartë politik, pasi është një besnike e pakushtëzuar e liderit të saj.
Besnikëritë e pakushtëzuara janë në fakt mani për zotërim, ndërsa të jesh besnik i parimeve të tua të bën automatikisht besnik ndaj kujtdo personi me të cilin lidh një kontratë, nënshkruan një marrëveshje, pra kërkon të krijosh një marrëdhënie të qëndrueshme e dinjitoze.
Nuk është i pari rast kur një grua politikane e shpreh publikisht besnikërinë e pakushtëzuar ndaj një lideri politik, dhe kjo nga dëshira për të shprehur mbështetjen dhe respektin ndaj tij apo për të marrë një pjesëz të peshës që ai ka vetvetiu si pozicion, por edhe si fuqi individuale?
Ka kafshë, të cilat kanë besnikëri të pakushtëzuar ndaj padronit, por kjo nuk ka shpjegim logjik, thjesht është çështje konvencionesh midis njeriut dhe qenit në rastin e kafshës, dhe sido që njeriu-padron të sillet me të ai mbetet deri në vdekje besnik i tij.
Në rastin e sjelljes njerëzore, besnikëria ka të bëjë vetëm dhe vetëm me integritetin personal, e cila të bën të jesh besnik dhe të kesh në të njëjtën kohë profilin tënd si njeri edhe si politikan. Një politikan pa profil të qartë? Unë nuk e di si mund të krijojë me liderin dhe kolegët marrëdhënie ndërvarësie, pa të cilat një ekip nuk mund të quhet realisht ekip.
Sidoqoftë në shenjë solidariteti femëror më duhet ti uroj asaj fat dhe sukses në detyrën si Ministre e Mbrojtjes dhe si një besnike e parimeve të saj të kryej me sukses atë punë shumë të vështirë dhe fisnike në të njëjtën kohë. Ndërsa besnik i pakushtëzuar nuk ja uroj askujt të jetë, sepse na duhen shumë individualitete ku gjithsecili të respektojë veten edhe të tjerët.
