Bestytnia, ja përse Alberto Fernández nuk udhëtoi drejt Katarit

Nesër në Lusail nuk do të jetë prezent njëri prej presidentëve të dy vendeve që do të luajnë për lavdinë në Kupën e Botës. Siç dihet Emmanuel Macron ndodhet në Katar prej disa ditësh pasi përveç gjysëmfinales ai ka konfirmuar pjesëmarrjen edhe në finalen e madhe ndërkohë që nga ana tjetër do të mungojë homologu i tij argjentias, Alberto Fernández.
Ky i fundit nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale ka paralajmëruar se do të bëjë tifo për Argjentinën nga shtëpia e tij në shoqërinë e të afërmve. Në fund të statusit të publikuar vetëm pak minuta më parë Presidenti i Argjentinës ka thënë se një vendim i tillë kishte të bënte edhe me një besëtytni të krijuar ndër vite.
Përveç Botërorit të 1978, ku krerët e shtetit ishin prezent pasi eventi mbahej në Argjentinë, në asnjë rast tjetër “albiceleste” s’ka luajtur finalen në prani të krerëve të shtetit.
Ku e ndoqën presidentët e tjerë Argjentinën gjatë finaleve të Botërorëve:
1978: Si vend organizator Jorge Videla së bashku me krerët e tjerë të lartë të huntës ushtarake e ndoqën finalen mes Argjentinës dhe Holandës në stadium. Ishte vetë ai që i dorëzoi trofeun vendasve.
1986: Raúl Alfonsín nuk udhëtoi në Meksikë, por menjëherë pas finales të fituar i telefonoi personalisht Carlos Bilardo-s (komisari teknik) për ta uruar për suksesin e arritur në Azteca.
1990: Carlos Menem udhëtoi drejt Italisë dhe ishte prezent në ndeshjen hapëse mes Argjentinës dhe Kamerunit. Ai nuk ishte prezent në finale dhe ashtu siç bëri Alfonsín katër vite më parë ftoi nënkampionët në “Casa Rosada”.
2014: Cristina Fernández de Kirchner mungoi në finalen e madhe në Maracaná mes Argjentinës dhe Gjermanisë. Edhe de Kirchner ashtu si Carlos Menem dhe Alfonsín priti nënkampionët në një ceremoni zyrtare.