E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja e humbur me xhamat e zinj te makinave

Makinat me xhama të zinj janë një problem i vjetër për policinë. Veshja e xhamave në këtë mënyrë konsiderohet shkelje e Kodit Rrugor dhe është e ndëshkueshme nga 5-20 mijë lekë të reja. Por përvoja tregon se përveç rrezikshmërisë që vjen nga aksidentet, xhamat e zinj përdoren dhe si koperturë nga elementë të rrezikshëm kriminalë për të lëvizur pa u parë nga dëshmitarë apo informatorë të policisë. Rasti me flagrant kur xhamat e zinj i dhanë përparësi në veprim krimit përballë policisë është ai i Dritan Dajtit. I dënuari përjetë Dritan Dajti, në atë kohë i lirë përfitoi nga ky fakt gjate operacionit policor për arrestimin e tij në 7 gusht 2009 në zonën e plazhit Iliria në Durrës. Kjo u kushtoi jetën 4 efektivëve të skuadrës speciale të policisë. Mungesa e pamjes së qartë nga jashtë mjetit, bëri që Dajti të ishte i favorizuar dhe të vriste 4 prej policisë të skuadrës speciale në tentativë për t’i shpëtuar arrestimit. Pas ngjarjes pati disa operacione policore për xhamat e zinj madje dhe ndërhyrje në kodin rrugor për të rritur ndëshkueshmërinë. Pavarësisht nismave ligjore hendeku I madh në vlerën e gjobës nga 5 deri në 20 mijë lekë është folur shpesh si mënyrë abuzimi apo korruptimi në dhënien e masave përfundimtare administrative nga komisioni administrativ. Mungesa e politikave të rrepta administrative në vend, I ka inkurajuar përdoruesit e tyre për vlerën e pakët të masës së gjobës që u jepet. Specialistë të policisë rrugore hedhin akuza edhe për mungesën e bashkëpunimit në ndëshkimin drejtuesve të mjeteve që përdorin pjesë të tilla shtesë në automjetet e tyre që në momentin e kontrollit fizik të mjetit. Sipas tyre ndërhyhet edhe në certifikatën e Konformitetit duke shtuar në lejen e qarkullimit edhe elementë të tillë për përdorimin e xhamave të zinj. Edhe në rastet e prodhimit origjinal të makinave me xhama të zinj, kjo duhet të jetë nën masën e 30 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›