Beteja e qarqeve
Nga Eduard Zaloshnja
Pavarsisht nga vonesat që mund të sjellë ngërçi i KQZ-së, një ditë zgjedhjet do të zhvillohen. Dhe kur gara të fillojë, dy koalicionet e mëdha do të futen në të pas një barazimi 70-70, që u regjistrua në KQZ në garën e kaluar të mandateve. Duke pasur parasysh kete rezultat zyrtar, secili koalicion do të mundohet të mbrojë mandatet e marra në çdo qark para 4 vjetësh, duke synuar të shtojë ndonjë mandat në ato qarqe ku ka qenë më pranë marrjes së një mandati ekstra. Siç kam analizuar në një shkrim të mëparshëm (http://respublica.al/opinion/2013/04/27/berati-vs-fieri ), në dy qarqe, Berat dhe Fier, gara për mandatin e fundit të qarkut (të 8-in në Berat e të 16-in në Fier) u mbyll me fotofinish për një grusht votash. Dhe në këto qarqe, beteja do të jetë më se e ashpër (për të mos përdorur ndonjë epitet më të fortë).
Qarku tjetër ku koalicioni opozitar ishte më afër marrjes së një mandati ekstra është Elbasani, ku opozitës i duheshin vetëm 674 vota për të marrë mandatin e 8-të (rezultati u mbyll 7-7). Në këtë qark, koalicionit opozitar i duhet thjesht të ruaj kuotën 53.1% që pati në 2009-ën dhe marrja e mandatit ekstra është praktikisht e sigurtë sepse kuota 46.9% e së djathtës do të ndahet mes koalicionit të Berishës dhe FRD-së (ska rëndësi se në çraporte mes tyre do të bëhet kjo ndarje). Një skenar alternativ është ai i një rrjedhje të mundshme të votave të majta drejt AK-së, e cila mund të balancohet nga një rrjedhje më e madhe e votave të djathta drejt FRD-së.
Një tjetër qark i nxehtë është Tirana, ku opozitës i duheshin vetëm 976 vota për të marrë mandatin e 17-të (rezultati u mbyll 16-16). Në këtë qark, koalicionit opozitar i duhet thjesht të ruaj kuotën 51.4% që pati në 2009-ën dhe marrja e mandatit ekstra është praktikisht e sigurtë sepse kuota 48.6% e së djathtës do të ndahet mes koalicionit të Berishës dhe FRD-së. Sesa mandate do të marrë FRD-ja në Tiranë, nuk ka rëndësi për koalicionin opozitar, për aq kohë sa ai arrin të mbrojë kuotën 51.4% nga sulmet e diversantit Spahiu.
Duke mbetur në Shqipërinë e Mesme, Durrësi është një qark që gjithashtu mund të ofrojë një betejë të nxehtë. Atje mjafton që koalicioni opozitar të ruaj kuotën 47.6% nga diversioni i Spahiut, ndërkohë që FRD-ja të marrë jo më pak se 4.7% të votave të qarkut, dhe koalicioni opozitar siguron një mandat ekstra. Në qoftë se Oketa arrin ta marrë një mandat, i bie që ta marrë nga parcela e mazhorancës. Më e përpjetë duket beteja e koalicionit opozitar për të shtuar një mandat në qarkun e Korçës, ku ishte 3440 vota larg mandatit të 7-të (rezultati përfundoi 6-6).
Dhe më e përpjetë akoma duket në Vlorë e Gjirokastër, ku koalicioni opozitar ishte përkatësisht 3750 dhe 10700 vota larg një mandati ekstra. Duke kaluar në Shqipërinë e Veriut, raportet e mandateve mund të ndryshojnë në Shkodër e në Dibër vetëm në qoftë se FRD-ja arrin të marrë përkatësisht mbi 5% dhe mbi 8% të votave në rang qarku. Ndërsa në Lezhë dhe në Kukës, mundësia e ndryshimit të rezultatit të mandateve ka probabilitet shumë të vogël kampet duket se do të luajnë fort për të ruajtur satus kuonë. Duke e përmbledhur këtë analizë, mund të thuhet se rezultati 70-70 mund ta fillojë përmbysjen në Berat, ku për një grusht votash mund të shkojë 71-69 për koalicionin opozitar.
Më tej, koalicioni opozitar ka shumë gjasa të shkojë në nivelin 73 mandate npërmjet betejës në Elbasan e Tiranë, ku për pak qindra vota mund të marrë mandate shtesë. Durrësi është qarku që ka rradhën probabilitare ti japë mandatin e 74-të koalicionit opozitar, i ndjekur ndoshta, ndoshta nga Korça, që me shumë vështirësi mund ti japë të 75-in. Ndërkohë, koalicioni mazhoritar do të luftojë fort në Fier, me shpresën për ti hequr një mandat opozitës në këtë qark (Ndoshta jo rastësisht, Kreshnik Spahiu do ta zhvendosë tubimin 1 maj-1 milion kuqezinj nga Tirana në Fier sa më shumë vota të majta të shkëpusë atje, aq më shumë dobësohet mbrojtja e mandatit të fundit të qarkut nga koalicioni opozitar).
Në të gjitha qarqet e tjera, koalicioni mazhoritar do të jetë në mbrojtje të mandateve që ka aktualisht, si nga sulmi i koalicionit opozitar, ashtu edhe nga FRD-ja, e cila duket se synon të marrë mandate në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër e Dibër.
