Beteja e tyre

Beqir Haluli, botuesi shqiptar që i pari e hodhi në treg librin “Mein Kampf” (Beteja Ime), të liderit të njohur nazist, atij këtë të martë ia bashkëngjiti edhe vëllimin e dytë.
Nga ana tjetër, botuesi Alfred Cako, i cili vetëm dy javë pas botimit të Halulit po ashtu hodhi në treg të njëjtin libër, thotë se duke filluar që nga kjo e mërkurë do të nxjerrë në shitje vëllimin e dytë të të njëjtës vepër.
Kjo luftë mes botuesve të librit të Hitlerit në gjuhën shqipe, ka nxjerr në dukje problemin e madh të të drejtës autoriale – të cilën me sa duket nuk e posedon asnjëri. Që të dy shtëpitë botuese në fakt e pranojnë se nuk e posedojnë fare atë. Madje, Haluli për këtë punë tashmë është gjobitur me 100,000 lekë, ndërkohë që Cako ende jo. Ky i fundit thotë se askush nga Zyra Shqiptare e të Drejtës së Autorit nuk ka kërkuar ndonjë kontratë nga ai.
Kur u kontaktua nga televizioni Vizion Plus, nga Zyra Shqiptare e të Drejtës së Autorit u tha se personeli i saj nuk është fare në dijeni për publikimin e të njëjtit libër edhe nga një botues tjetër përveç Halulit, megjithëse libri në fjalë ka ditë që ndodhet nëpër libraritë në Shqipëri, dhe në Kosovë.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, ndërkaq e quan këtë situatë si shumë shqetësuese. Kjo, ngase ajo ka krijuar një kaos në fushën e botimeve, me ose pa të drejtë autori, përkundër faktit që ekziston një institucion që do të duhej t’i mbronte ato.
Ndryshe, gjoba që nga Zyra Shqiptare e të Drejtës së Autorit iu shqiptua shtëpisë botuese Belina-H, të Beqir Halulit, ishte e para e kësaj natyre në Shqipëri, edhe pse kjo zyrë është themeluar qysh në vitin 2006.