Beteja etnike për Kërçovën

Në garën për komunën e Kërçovës pritet të garojnë vetëm dy kandidatë, Fatmir Dehari nga BDI dhe Bllagoja Despotoski nga VMRO-DPMNE.
Në Komisionin Zgjedhor Komunal (KZK) deri të hënën nuk është lajmëruar asnjë kandidatë tjetër nga partitë maqedonase, gjegjësisht opozita maqedonase, e cila ka ndërprerë bojkotin dhe merrë pjesë në zgjedhjet e 24 marsit.
Blloku opozitar maqedonas i udhëhequr nga LSDM nuk do të nxjerrë kandidatë për Kërçovën, me qëllim të evitimit të përçarjes së votës së maqedonasve, shkruan Ina.
Nga ana tjetër, partitë opozitare shqiptare PDSH, RDK , etj si dhe shoqatat joqeveritare nuk kanë nxjerrë kandidatë për kryetar komune dhe se ata do të përkrahin kandidatin e vetëm shqiptar të propozuar nga BDI, Fatmir Dehari.
Gara për Kërçovën është vlerësuar me ngjyrime etnike dhe se dyja komunitetet kanë intensifikuar aktivitetet dhe fushatën zgjedhore për të siguruar shumicën për fitoren në këtë komunë, e cila sipas parashikimeve në rast të fluksit të madh të votuesve shqiptarë pritet që për herë të parë të udhëhiqet nga shqiptarët.
Në mbështetje të kandidatit shqiptar është ftuar diaspora shqiptare nga kjo zonë të kthehet në vendlindje dhe të shfrytëzoj votën, me qëllim të fitores dhe shmangies së mundësisë së fitores së kandidatit maqedonas.
Begzat Aliu, sekretar i Komisionit Komunal Zgjedhor në Kërçovë ka theksuar se pritet që deri më 8 mars të shihet se a do të ketë kandidatura të tjera për Kërçovën dhe më pas do të zyrtarizohen këto dy kandidatura të vetme. Ndërkohë, për Këshillin komunal të Kërçovës deri tani me lista kanë konkrruar VMRO-DPMNE, BDI, PDSH dhe RDK.
Sipas planit të decentralizimit, komuna e Kërçovës prej këtij viti zgjerohet si komunë, duke përfshirë komunat rurale Zajaz, Osllomej, Vraneshticë dhe Drugovë, me ç’rast shqiptarët arrijnë të përbëjnë mbi gjysmën e popullsisë së kësaj komune, e cila sipas kufijve të deritanishem ishte vetëm me mbi 20 për qind shqiptarë./Indeksonline/