E Martë, 3 Nëntor 2026

Beteja me zjarret, Çako: Nga 44 vatra vetëm 10 janë aktive, bashkitë të jenë në gadishmëri

Vijon beteja me zjarret në disa zona të vendit. Bëhet e ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 44 vatra zjarri në zona të ndryshme të vendit, nga të cilat 34 janë shuar dhe janë vënë nën kontroll, ndërsa 10 vatra mbeten ende aktive, por janë nën monitorim pa ndërprerje.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako informoi të shtunën mbi situatën e zjarreve në vend

Sipas tij, gjatë ditës së shtunë, strukturat Operacionale në nivel vendor dhe qendror, mbështetur edhe me ndërhyrje nga ajri nga ekipi rumun janë angazhuar për shuarjen dhe izolimin e vatrave të zjarrit.

Çako theksoi se, vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në malin e Tomorrit, malin e Thatë në Prespë, bjeshkët e Bollotekut dhe malin e Tërnovës në Bulqizë, të cilat janë larg qendrave të banuara.

“Për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit janë angazhuar 275 forca zjarrfikëse, 219 forca ushtarake, 44 efektive nga policia e shtetit, 161 struktura të emergjencës civile të pushtetit lokal, 52 nga administrata e zonave të mbrojtura, 54 shërbimi pyjor, si dhe 98 vullnetarë”, tha Çako.

Ai shtoi se, Forca Ajrore me efektivët dhe mjetet  janë në gatishmëri të plotë.

“Vlerësojmë punën e bërë deri tani nga bashkitë e prekura nga zjarret dhe u kërkojmë të angazhohen maksimalisht, të informojnë publikun dhe komunitetin e rrezikuar, të sigurojnë funksionimin e sistemit të monitorimit, të paralajmërimit të hershëm, të njoftimit dhe të alarmit në territorin e tyre si dhe të  informojnë në kohë Prefektin e Qarkut dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile lidhur me situatat e zjarreve”, deklaroi Çako.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile ftoi bashkitë të bashkëpunojnë me njëra- tjetrën, duke  angazhuar  kapacitetet në përballimin e zjarreve.

“U kërkojmë autoriteteve lokale, në zbatim të ligjit, të mbajnë në gatishmëri strukturat e sistemit të mbrojtjes civile si dhe të aktivizojnë kapacitetet e subjekteve publike e private për përballimin dhe lehtësimin e  situatës nga zjarret”, tha Çako.

Sipas tij, ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe të gjitha institucionet dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile do të vijojnë pa ndërprerje ndjekjen e situatës dhe angazhimin e të gjitha kapaciteteve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar sipas rastit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›