Beteja për Anaidën
Nuk e ka ndërmend të pajtohet edhe pas fatkeqësisë që i ndodhi vajzës tij. Ai tash kërkon ta shpëtojë mbesën, Anaidën, e cila vazhdon të jetë në shtëpinë e personit, i cili dyshohet se ia mbyti vajzën.
Gëzim Kastrati, babai i Dianës së ndjerë, të cilën para disa ditësh dyshohet ta ketë vrarë ish-burri i saj, të martën është nisur drejt Gjykatës Komunale në Prishtinë. Ai ka vendosur që me anë të një kërkese drejtuar kësaj gjykate, ta padisë babin e mbesës së tij, Adnan Jasharin, përkatësisht dorasin, për të cilin dyshohet se ia mori jetën ish-gruas së tij, Diana Kastratit.
Gëzimi thotë se është detyruar ta bëjë këtë padi, për hir të kujtimit ndaj Dianës, e cila sa ishte gjallë ka luftuar ta fitojë kujdestarinë mbi vajzën e saj. “Këtë po e bëj për Dianën, pasi vdekja e saj e la këtë kërkesë në gjysmë”, thotë ai për Express.
Sipas Gëzimit, vrasja e vajzës e shtyu atë që të luftojë deri në fund. Thotë se nuk do të ndalet duke kërkuar drejtësi, derisa të arrijë ta marrë mbesën e tij, që po vazhdon të qëndrojë në shtëpinë e babait, Adnanit, i cili vazhdon të jetë në arrati. Gëzimi kërkon besim në ruajtje, ushqim, edukim dhe shkollim të fëmijës.
Në padinë, të cilën e posedon Expressi, Gëzimi i ka paraqitur të gjitha faktet, për të cilat ai mendon se janë të mjaftueshme që ta ketë kujdestarinë mbi Anaidën.
“Pas gjendjes së krijuar, kur Adnan Jashari nga Prishtina, në mënyrën më mizore e vrau bijën tonë, Diana Kastratin, tani e ndjerë, vajza e mitur Anaida Jashari, mbesa jonë, vazhdon të jetë në familjen e dorasit, i cili po kërkohet edhe nga organet e ndjekjes”, thuhet në padi.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...