Mblidhen për Ramushin
Me kërkesë të katërdhjetë deputetëve të partive të ndryshme, Parlamenti i Kosovës do të debatojë të martën në një mbledhje të jashtëzakonshme për procesin gjyqësor ndaj ish-oficerëve të lartë të UÇK’së, Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.
Ky vendim është marrë të hënën në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.
“Të martën do të kemi një debat të kërkuar nga AAK’ja, i cili ka të bëjë me procesin që është duke u zhvilluar ndaj Ramush Haradinajt dhe bashkëpunëtorëve të tij”, ka thënë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Kreyparlamentari nuk e ka bërë të qartë se cili do të jetë përfundimi i debatit në këtë seancë, por ka shprehur bindjen se në fund të ketë ndonjë rekomandim.
Ndërsa, shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, theksoi se ky debat do të jetë një apel për drejtësinë ndërkombëtare, që të jetë e drejtë edhe në aspektin kohor, jo vetëm në aspektin e shpalljes së pafajësisë për Haradinajn.
“Fakti që ne besojmë që populli i Kosovës beson se zoti Haradinaj është i pafajshëm, herën e parë është dëshmuar në Tribunal, do të thotë është shpallur i pafajshëm, ne ende besojmë se është i pafajshëm, por ne do të jemi të kujdesshëm ndaj drejtësisë ndërkombëtare që mos të paragjykojmë ashtu, por të paktën të themi se shumë njerëz edhe në botë besojnë se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Pra, kjo është ajo për të cilën ne provojmë të flasim nesër dhe të kërkojmë që të paktën drejtësia ndërkombëtare të jetë e drejtë edhe në aspektin kohor, jo vetëm në aspektin e shpalljes së pafajësisë”, ka thënë Gjini.
Edhe grupet e tjera parlamentare e kanë mbështetur një nismë të tillë të AAK-së dhe Ardian Gjini pret që kjo seancë të jetë një solemnitet në mbështetje të Haradinajt.
“Me siguri se seanca e së martës do të jetë edhe një solemnitet me të cilin Kosova do të tregojë se e mbështet njërin nga liderët e vet më të mëdhenj”, është shprehur Gjini.
Shefi i Grupit parlamentar të AAK’së beson se ky apel i Kuvendit të Kosovës do të kuptohet në mënyrën më të mirë të mundshme nga drejtësia ndërkombëtare, përderisa ka thënë se Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për Haradinajn.
I pyetur nëse do të kërkohet debat edhe për rastin e Fatmir Limajt, i cili është shpallur i pafajshëm në Hagë, por procesi është hapur sërish në Kosovë nga EULEX’i, Gjini ka thënë se në seancën e së martës, nuk do të ketë përfshihet edhe një gjë e tillë, mirëpo nuk ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të hapen tema edhe për kontekste të tilla.