Betim Gjoshi dy poste të larta publike

Betim Gjoshi përfaqësues i PDK në Komisionin Qendror Zgjedhor, është njëkohësisht dhe kryeshef ekzekutv i ndërmarrjes publike "Trainkos". Për këtë arsye ai ka pasur një çështje në Agjensionin Antikorrupsion, pasi kjo konsiderohet si rast i konfliktit të interesit. Por më 7 mars 2013, shefi i AKK-së Hasan Preteni e ka nënshkruar mbylljen e këtij rasti duke shkruar se ‘nuk ka të dhëna të mjaftueshme për ekzistimin e gjendjes së mundshme të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik’.
Por nëse Preteni, ose dikush prej stafit të AKK-së, bën një hulumtim të thjeshtë në profilin e Gjoshit në Facebook, mund ta dallojë qartë se ai vazhdon të jetë pjesë e strukturave të kësaj partie. Më 7 maj 2013, ai ka publikuar një foto për të cilën ka shkruar “Në takim me Struktura të degës së PDK-së në Fushë – Kosovë”. Aty ai shihet, duke mbajtur fjalim, në praninë e nënkryetarit të kësaj partie, Kadri Veseli.
Funksioni si anëtar i KQZ-së me kushtetutë dhe ligj për zgjedhjet është i rregulluar si funksion apo post i lartë publik dhe jo privat siç është pretenduar në vendimin e AKK-së. Anëtarët e KQZ-së janë përfaqësues të subjekteve politike në KQZ. Në rastin e Gjoshit, ai përfaqëson PDK-në në KQZ dhe në bazë të kësaj nuk do të mund të kandidonte për pozitën e Kryeshefit në ndërmarrjen publike "TrainKos", ose të jepte dorëheqje prej njërës.
Sipas ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, në nenin 61 lidhur me mandatin dhe emërimin e anëtarëve të KQZ-së, përkatësisht në 61.8 ku përcaktohet kur ‘personi nuk ka të drejtë të jetë anëtar i KQZ-së’, në pikën e) përcaktohet kur është ‘zotërues i një posti të lartë publik ose i një posti të lartë në parti politike’.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se deklarimi i Betim Gjoshit, përfaqësues i PDK-së, se ka hequr dorë nga kompensimet nga KQZ nuk është i vërtetë, pasi që ai vazhdon të marrë gjysmën e pagës, dhe beneficionet të tjera si mëditje, mbushje etj.
Poashtu, pretendimi se mandati i anëtarëve të KQZ-së ka mbaruar, siç thuhet në këtë vendim nuk qëndron pasi KQZ-ja vazhdon të mbajë mbledhje rregullisht dhe Betim Gjoshi vazhdon të jetë anëtar i këtij institucioni. Madje, në datën 8 maj, ai kishte dhënë një intervistë për Epokën e Re, në cilësinë e anëtarit të KQZ-së.
Gjoshi ka marrë dhe vazhdon të marrë pjesë në vendimmarrje për shumë çështje organizative dhe financiare, duke përfshirë edhe panelet përzgjedhëse të stafit të Sekretariatit të KQZ-së.
/Indeksonline./