Betimi presidencial, sfida e parë për Mohammed Morsin

Këshilli ushtarak, që drejton aktualisht Egjiptin, tha se Morsi do të betohet si president i vendit përpara gjykatës kushtetuese.
Por presidenti i zgjedhur është zotuar që të marrë detyrën e tij përpara parlamentit, i cili është shpërndarë nga këshilli ushtarak.
Disa vëzhgues thonë se kjo do të jetë përballja e parë e një lufte të tej-zgjatur për pushtet.
“Nëse Morsi tërhiqet nga njoftimi i tij se do të betohet përpara parlamentit,ky do të jetë një tregues i sjelljes së tij të mëtejshme në pushtet ”, theksoi analistja politike dhe gazetarja, Rania el Malki.
Ndërsa këshilli ushtarak mund të bëhet vështirësia më e madhe për Morsin, el Malki thotë se elementë të tjerë nga e kaluara mund t’i shkaktojnë atij vështirësi.
“Për momentin ai po e merr detyrën në një ambient armiqësor. Dua të them se njerëzit që kanë pasur poste në regjimin e dikurshëm kontrollojnë shtetin në përgjithësi dhe mendoj se do të jetë e vështirë për të që t’ia dalë në këtë ambient armiqësor”, tha ajo.