Betohet Basha: Do ndërtoj Tiranën e ëndrrave
(E PERDITESUAR)- E gjithë ceremonia nisi me mbërritjen e ambasadorëve. Mbërritja e ambasadorit të OSBE-së, Eugen Volfart në bashkinë e Tiranës është pritur me duartrokitje nga militantët e djathtë, të mbledhur përpara bashkisë. Bashkë me të ka mbërritur edhe zv/ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Debora Xhons. Edhe Etore Sekui, ambasador i BE në Tiranë, ka dërguar zëvendësen në betimin e Bashës. Përpara tyre në sallën e këshillit bashkiak kishte mbërritur ambasadorja e Polonisë, vendit që mban presidencën e Bashkimit Europian.
Në sallë ka pasur debat mes përfaqësuesve të majtë dhe të djathtë për rendin e ditës. Opozita pretendon se rendi i ditës është imponuar nga Ministria e Brendshme. Sipas tyre, rendi duhet të vijojë me zgjedhjet e këshillit të qarkut.
Pas këtij debati, Kosovrasti ka ftuar në sallë Lulzim Bashën. Mbërritja e tij është pritur me ovacione nga njerëzit jashtë bashkisë. Thirrjet Luli, Luli, e kanë shoqëruar atë për në sallë. Basha ka hyrë me vështirësi në sallë, edhe pse ishin pak njerëz. Skenari ka funksionuar dhe Basha u ndal jashtë duke takuar njerëzit.
Pasi ka hyrë në sallën e këshillit bashkiak, Njazi Kosovrasti ka lexuar detyrimet ligjore për shpalljen e vlefshmërisë së mandatit të Lulzim Bashës. Kosovrasti ka lexuar vendimin e formës së prerë të gjykatëses Albana Lluri, që ka vërtetuar mandatin për Lulzim Bashën.
Më pas Kosovrasti ka lexuar tekstin e betimit, dhe Basha ka thënë betohem duke ngritur dorën e djathtë. Betohem në emër të zgjedhësve që përfaqësoj se do mbroj Kushtetutën e ligjet. Do udhëhiqem nga interesat e qytetarëve dhe do punoj me ndershmëri e përkushtim, thuhet në tekstin e betimit.
Mirëseerdhe kryetar i bashkisë së Tiranës, iu drejtua atij Kosovrasti, duke i vënë shiritin e kryetarit.
Basha mbajti më pas një fjalë përshëndetëse përpara këshilltarëve, si atyre të majtë, ashtu dhe atyre të djathtë.
Ju faleminderit të gjithë qytetarëve të Tiranës për këtë privilegj të jashtëzakonshëm. Urime për këshillin bashkiak dhe punë të mbarë. Pres me kënaqësi të punojmë bashkë për të bërë Tiranën një qytet më të mirë. Do bashkëpunoj me ju pavarësisht cilës parti i përkisni. E rëndësishme është të punojmë së bashku. Dua tju siguroj se administrata ime do jetë gjithëpërfshirëse. Në fillim të kësaj fushate nisëm një udhëtim të vështirë, por të bukur. Ne nuk e humbëm për asnjë çast destinacionin përfundimtar, edhe pse udhëtimi zgjati pak më shumë. Ne nisim sot një udhëtim të ri, për të ndërtuar Tiranën. Pritshmëritë e bashkëqytetarëve tanë janë të mëdha sot, por ndryshimi nuk është i lehtë. Ai do vijë më shpejt nëse do punojmë së bashku. Sigurisht që gjatë rrugës do hasim pengesa, trajektorja do ndryshojë, por ne sërish do mbërrijmë në destinacion. Ia vlejti çdo pritje në mënyrë që çdo votë të numërohej. Kjo fushatë nuk ishte për mua, as për kundërshtarin, por për ju. Ju siguroj se do ju dëgjoj në këtë rrugëtim të ri. Pa dëgjuar zërin tuaj, askush nuk mund tu bëjë ju pjesë të bashkëqeverisjes. Që këtë pasdite do hap dyert për gjithë qytetarët dhe do qëndroj aty derisa tju kem takuar juve. Unë do realizoj orarin zyrtar të takimit me qytetarët. Bashkia e Tiranës do jetë e hapur për gjithë qytetarët.
Për një kohë të gjatë bashkia e Tiranës u shndërrua në një arenë të përplasjes politike. Konflikti politik kaloi çdo masë dhe u bë më i rëndësishëm se produkti që pret çdo qytetar. Bashkisë nuk i takon të jetë pjesë e këtij konflikti. Kjo është ajo që duam të bëjmë ne. Këtu nuk ka vend për luftë politike. Partitë politike mund dhe duhet të punojnë së bashku. Jam i bindur se kjo mund dhe do të ndodhë në Tiranë. Është koha për tiu përkushtuar zhvillimit që Tirana meriton. Unë do nis menjëherë punën për zbatimin e atij programi ambicioz që kam paraqitur në fushatë, tha Basha.
Më pas ai ka rreshtuar disa nga premtimet e tij të fushatës që do bëhen realitet.
Ne do ndërtojmë qytetin e ëndrrave dhe aspiratave tona. Kjo nuk do jetë e lehtë, por asgjë që ia vlen në jetë nuk është. Duke vendosur qytetarët e Tiranën të parët, do ia dalim. Ne nuk punojmë për zgjedhjet e ardhshme, por për brezat e ardhshëm, tha Basha.
Së bashku do ndërtojmë Tiranën që meritojmë. Kjo ishte një fushatë shumë intensive. Ne duhet të ruajmë qytetarinë tonë. Të mos harrojmë se jemi të gjithë shqiptarë dhe qytetarë të Tiranës. Një pjesë e juaj votoi për kundërshtarin. Si kryebashkiak unë do përfaqësoj secilin prej jush dhe do punoj me përkushtim. Arsyet që na bashkojnë janë shumë më shumë se ato që na ndajnë. Ju ftoj të bashkohemi, sepse sot është koha që ta shohim qytetin tonë si një familje të madhe.