E Diel, 1 Nëntor 2026

Betohen anëtarët e këshillit bashkiak, Kosovrasti ZGJIDHET kryetar. Për nënkryetarin voton dhe një i majtë

(E PERDITESUAR)- Përpara nisjes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve, disa dhjetëra njerëz janë mbledhur përpara bashkisë për të festuar ndryshimin e kreut të saj.

Këshilltarët e opozitës mbërritën të parët, më pas ata të mazhorancës.

Anëtari më i vjetër në këshill, Maks Begeja, ka drejtuar mbledhjen. Është ngritur komisioni i mandateve, që ka verifikuar mandateve. Në përfundim të verifikimit, ata kanë deklaruar se gjithçka është në përputhje me dokumentacionin që është dërguar nga KQZ.

Pas miratimit të raportit, këshilltarët janë ngritur në këmbë dhe kanë lexuar formulën e betimit.

Në emër të zgjedhësve do mbroj Kushtetutën. Do udhëhiqem nga interesat e shtetasve të Tiranës. Do punoj me përkushtim për zhvillimin dhe mirëqenien e tyre, thuhet ndër të tjera në formulën e betimit.

Pas betimit, Begeja ka vijuar me propozimet për kryetar të këshillit bashkiak. Ferdinand Pone, në emër të Partisë Demokratike dhe këshilltarëve të Aleancës për Qytetarin, ka propozuar Njazi Kosovrastin. Pone tha se Kosovrasti është mendje e fortë dhe e ftohtë intelektuale.

Është një ndërgjegje e përcaktuar për të luftuar për demokraci. Është një sportist i njohur, përfaqëson me dinjitet ngjyrat e Tiranës, i ka përfaqësuar ato në këshill bashkiak e në kabinetin qeveritar, vijoi më tej Pone.

Kurse Aleanca për të Ardhmen ka propozuar Mimoza Hafizin si kryetare të këshillit kombëtar.

Një përfaqësuese e denjë e zërit të grave, tha Aldrin Dalipi për propozimin e opozitës.

Pas numërimit të votave, Njazi Kosovrasti është shpallur fitues, duke marrë kryesimin e këshillit bashkiak. Votat janë ndarë sipas përkatësisë në koalicion, për Kosovrastin kanë votuar 28 këshilltarë, për Hafizin 27.

Nderkohe, sa i perket nenkryetarit, mazhoranca propozoi emrin e Zamir Ndroqit, kurse e majta, emrin e Adriana Berberit.

Pas votimit ka fituar Ndroqi, qe ka marre 29 vota, dmth dhe nje vote nga keshilltaret e majte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›