Betohet Mustafa, LDK qeveris e vetme
Kuvendi Komunal i Prishtinës mbajti sot mbledhjen inauguruese. Kryetari Isa Mustafa, i cili në zgjedhjet e zhvilluara më 15 nëntor mori besimin për ta udhëhequr kryeqytetin edhe për katër vjet, është betuar para asamblistëve se do t’i kryejë detyrat “me nder, besnikëri të paanshme, e me ndërgjegje, në pajtim me ligjet, në mënyrë që të sigurohen kushtet për një jetë të qetë për të gjithë qytetarët”.
Kryetari i rizgjedhur u zotua se do ta punojë në realizimin e plotë të programit, të cilin ua ka premtuar qytetarëve.
“Konsideroj që koalicioni më i mirë dhe më i qëndrueshëm është ai me qytetarë”, tha Mustafa, i cili deklaroi se LDK-ja nuk do të hyjë në koalicion me asnjë parti tjetër.
“Besimin që ky Kuvend e ka marr nga qytetarët dhe besimin që unë dhe programi im morëm në këtë zgjedhje, krijojnë kushte që në këtë mandat, kuvendi të punojë pa koalicione të veçanta formale. Unë si kryetar i Komunës, nuk kam marrë vota vetëm të partisë, e cila më ka kandiduar, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por konsideroi që së paku 1/4 e votave kanë qenë nga qytetarët e tjerë, qoftë të pavarur, qoftë të subjekteve tjera politike, prandaj kjo me jepe forcë të veçantë dhe më bën edhe më përgjegjës për një bashkëpunim të fortë me gjithë ju dhe me gjithë qytetarët e Komunës së Prishtinës”, është shprehur Mustafa, transmeton KosovaPress.