Betohet Presidenti i Iranit. Izraeli: Ndryshoi Presidenti, jo qëllimet e regjimit
Presidenti i ri i Iranit, kleriku i moderuar musliman Hassan Rouhani, bëri betimin para parlamentit sot, duke bërë thirrje për dialog me perëndimin dhe pakësimin e “antagonizmit dhe agresionit.”
Një ditë pasi ai u konfirmua zyrtarisht në post nga Ayatollah Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i Iranit, zoti Rouhani tha se vendet rivale “duhet të flasin me Iranin përmes gjuhës së respektit dhe jo gjuhës së sanksioneve.”
Të paktën 11 presidentë të huaj ishin të pranishëm në ceremoninë e betimit të Ruhanit, në Parlament, apo Maxhlis. Presidenti i Sudanit, Omar Al Bashir, nuk mundi të jetë i pranishëm në ceremoni.
Ai kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit. Arabia Saudite nuk lejoi avionin me Omar Al Bashur të hynte në hapësirën e saj, duke e detyruar të kthehej në Kartum.
Ai premtoi të luftojë korrupsionin dhe të gjitha format e diskriminimit duke thënë se populli ka kërkuar reforma, ndryshim dhe prosperitet përmes votës në zgjedhje.
Kleriku 64 vjeçar fitoi me lehtësi ndaj rivalëve konservatorë në zgjedhjet e qershorit. Ai ka premtuar të ndjek politika më pak konfliktuale me jashtë për të lehtësuar sanksionet ndërkombëtare mbi ekonominë e Iranit për shkak të politikave të tij bërthamore.
Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney u përgjigj brenda pak orëve duke thënë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me qeverinë e zotit Rouhani në se ajo është serioze për bashkëpunim.
Ndërsa Izraeli përmes kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu deklaroi se Presidenti i Iranit ndryshoi, por jo qëllimet e regjimit.
Presidenti i Iranit ka ndryshuar, por qëllimet e regjimit nuk kanë ndryshuar, kanë mbetur të njëjta. Qëllimi i Iranit është të zhvillojë aftësinë dhe armën bërthamore. Qëllimi është të shkatërrojë shtetin e Izraelit dhe kjo përfaqëson një rrezik, jo vetëm për ne, apo Lindjen e Mesme, por për të gjithë botën. Ndaj dhe ne jemi të angazhuar për ta parandaluar këtë, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu.