E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bettermann: "Deutsche Welle", kontribut për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve

Kryeministri Berisha priti sot Drejtorin e Përgjithshëm të Radios "Deutsche Welle" (DW) Erich Bettermann.

Kryeministri Berisha e uroi zotin Bettermann për vlerësimin që iu bë Radio "Deutsche Welle", seksionit shqip të saj, me akordimin nga Presidenti i Republikës të Medaljes së Mirënjohjes. Kryeministri vlerësoi rolin e Radio "Deutsche Welle" në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Modernizimi i Radio DW, - tha Kryeministri, - në të gjitha aspektet është një lajm i mirë për vendin tonë, sepse do të intensifikohen më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kryeministri e njohu zotin Bettermann me hapat e qeverisë në fushën e informimit publik dhe dhënien e informacionit për aktivitetin e qeverisë, si dhe me qëndrimin e saj për të mos pasur asnjë denoncim ndaj gazetarëve dhe medias. Kryeministri tha se media shqiptare ka bërë përparim në aktivitetin e saj, por, ndonëse në Shqipëri ka vërtet gazetarë profesionistë të shkëlqyer, është domosdoshmëri e kohës rritja e nivelit profesional të saj, me qëllim arritjen e standardeve europiane. Shoqëria shqiptare duhet të bëjë të gjitha përpjekjet për të përshpejtuar zhvillimin e medias.
Kryeministri e njohu zotin Bettermann edhe me nismat e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, për rritjen e investimeve të huaja dhe vendase, si reformat e rëndësishëm për integrimin euro-atlantik të vendit.

Drejtori i DW, zoti Bettermann falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe theksoi se "Deutsche Welle" do të vazhdojë të kontribuojë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Zoti Bettermann u shpreh se shikon një zhvillim të madh të medias në Shqipëri, por, natyrisht, ky proces kërkon kohë deri në arritjen e standardeve të vërteta europiane. Ai vlerësoi gjithashtu nismat e ndërmarra nga qeveria dhe u shpreh se situata makroekonomike e Shqipërisë paraqitet me shumë perspektivë.

Bashkëbiseduesit ndanë pikëpamjet e tyre edhe lidhur me çështje të tjera, si situata në rajon etj..

Në fund të takimit, zoti Bettermann i dhuroi Kryeministrit Berisha stilografin zyrtar të Radios "Deutsche Welle" dhe e ftoi për një vizitë në zyrat qendrore të saj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›