BiS për Lasgushin
Për shkak të kërkesave të shumta që pati Mbrëmja poetike kushtuar Lasgush Poradecit më 23 shkurt në Teatrin e Metropolit, rikthehet sonte, ora 20.00 në skenën Shekspir. Është seria e leximeve publike dhe performancave që ky teatër ka ndërmarrë me klasikët shqiptarë. Rreth 16 poezi, Vdekja e Nositit, Poradeci, Dremit Liqeri, Ti po vjen që prej së largu, Kënga Pleqërishte, etj, interpretuar nga Kastriot Ramollari i cili vjen në skenë si një shëmbëlltyrë me veshjen karakteristike të Poradecit, dhe nga aktorët Yllka Mujo, Fatos Sela, Rozina Kostani dhe Anila Bisha.
Po sonte, ora 18.00, në skenën Çehov të Qendrës Kulturore Tirana, shfaqet premiera për të rinjtë TR- Junior Club ose ndryshe Fresk Fare. Është një shfaqje bashkëpunimi ndërmjet Teatrit të Metropolit dhe Sirea Film, kushtuar adoleshentëve, vënë në skenë nga regjisorja Elona Hyseni. Ka situata komike dhe shumë energji pozitive që këta adoleshent përcjellin. Improvizimi është çelësi i tyre, shprehet regjisorja Hyseni e cila është dhe autore e skenarit. Skenografia është punuar nga Beqo Nanaj, koreografia nga Rinold Gjorecaj dhe Almenda Hoxha. Formulues muzikor, Klodian Qafoku. Shfaqja zgjat rreth një orë dhe do të jetë në skenë çdo fundjavë të marsit dhe prillit. / E.D.