E Shtunë, 31 Tetor 2026

Birçe Hasko në retrospektivë

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ia kushton 15 marsin aktorit Birçe Hasko që bën 70 vjeç. Nesër, ora 12.00, promovohet albumi fotografik i roleve që ka realizuar në kinema Hasko. Është përgatitur nga specialistët e AQSHF-së. Zgjedhja e tyre, qoftë edhe e fragmenteve filmike që shfaqen nesër në kinemanë e arkivit, vë në dukje fillimet, në vitin 1971, në filmin Kur zbardhi një ditë të regjisorit Pirro Milkani. Aktori është shprehur për këtë: Piro Milkani është regjisori i parë që më  ka hapur rrugën e bukur të kinemasë. Më pas jeta ime artistike vijoi dhe me filma të tjerë, por dhe në interpretime në teatër. Nuk shkoja për të kërkuar role, por më kanë kërkuar.

Në vazhdim luan Mete Aliun te Radiostacioni 1979, Syrjai në filmin Skëterrë 43 në vitin 1980, profesori te Gurët e shtëpisë sime 1985 e deri tek më i fundit, në filmin Kronikë Provinciale 2009.

Birçe Hasko u lind në Dukat të Vlorës, më 15 mars 1942. Angazhimet e para në skenë i ka me trupën e Estradës amatore të qytetit Memaliaj, deri në fund të viteve pesëdhjetë. Konkurron për të hyrë në Institutin e Lartë të Arteve më 1965 dhe fiton. Është bashkëstudent me artistët Mevlan Shanaj, Timo Flloko, Kristaq Mitro, Llazi Serbo, Saimir Kumbaro, Gëzim Kame, Niko Kanxheri etj.

Mbas diplomimit ai emërohet pedagog në ILA dhe vazhdon paralelisht karrierën në kinema po edhe në teatër, në prodhime të Teatrit Popullor (Kombëtar) si Familja e peshkatarit, Tiranozauri, Mysafiri i mallkuar dhe në komedinë mjaft popullore në vitet tetëdhjetë, Shi në plazh. / E.D.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›